Rritja e Kancerit te të Rinjte Shqetëson Ekspertët
Një studim i ri paralajmëron për një rritje të ndjeshme të rasteve të kancerit tek personat nën moshën 50 vjeç. Ekspertët sugjerojnë se faktorë modernë si ushqimet e përpunuara, kimikatet industriale dhe përdorimi i antibiotikëve mund të luajnë një rol kyç në këtë tendencë.
Sipas studiuesve nga Instituti i Kërkimeve të Kancerit dhe Imperial College London, rreth 11 lloje kanceri po shënojnë rritje në grupmoshën 20-49 vjeç. Këtu përfshihen kanceri i gjirit, zorrës së trashë, tiroides, mëlçisë dhe pankreasit. Vetëm gjatë vitit 2023, rreth 31 mijë të rinj u diagnostikuan me kancer, me shumicën e rasteve te gratë.
Megjithëse obeziteti mbetet një faktor i rëndësishëm rreziku, ekspertët theksojnë se ai nuk e shpjegon plotësisht këtë rritje. Ata sugjerojnë se ushqimet ultra të përpunuara, të cilat përbëjnë një pjesë të madhe të dietës moderne, mund të kontribuojnë në zhvillimin e sëmundjes.
Një tjetër faktor i mundshëm janë kimikatet PFAS, të njohura si “kimikate të përhershme”, që gjenden në enë gatimi, veshje dhe produkte të tjera të përditshme. Këto substanca mund të grumbullohen në trup dhe mjedis për periudha afatgjata.
Po ashtu, përdorimi i shpeshtë i antibiotikëve në dekadat e fundit po vlerësohet si një element që mund të ndikojë në shëndet. Kjo pasi mund të ndryshojë mikrobiomën e zorrëve – një sistem bakterial thelbësor për funksionimin e organizmit.
Ekspertët theksojnë se nuk ekziston një shkak i vetëm për këtë fenomen, por një kombinim faktorësh që bashkëveprojnë. Ata bëjnë thirrje për intensifikimin e kërkimeve shkencore dhe zbatimin e masave parandaluese, duke nënvizuar se lufta kundër obezitetit mbetet një prioritet absolut për uljen e rrezikut të kancerit.
