AKR: KQZ heq pezullimin, partia rikthehet në aktivitet politik

Aleanca Kosova e Re (AKR) ka bërë të ditur se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i ka hequr masën pezulluese, duke mundësuar rikthimin e saj të plotë në aktivitet politik. Ky vendim vjen pas përmbushjes së të gjitha detyrimeve ligjore të kërkuara nga partia.

Pezullimi ishte vendosur më 12 mars 2026, siç thuhet në njoftimin e AKR-së, dhe u hoq pasi partia respektoi afatin ligjor prej 45 ditësh. Gjatë kësaj periudhe, AKR mbajti Kuvendin Zgjedhor dhe përmbushi të gjitha kërkesat procedurale të nevojshme.

“AKR e vlerëson këtë zhvillim si një hap të rëndësishëm drejt konsolidimit të mëtejshëm institucional dhe politik të subjektit tonë. Ne mbetemi të përkushtuar për funksionim transparent, respektim të ligjit dhe përfaqësim dinjitoz të qytetarëve të Republikës së Kosovës,” theksohet në njoftim.

Njoftimi vijon duke shtuar se strukturat e reja të dala nga Kuvendi Zgjedhor do të angazhohen menjëherë në fuqizimin e partisë, rritjen e besimit qytetar dhe përgatitjen për sfidat e ardhshme politike. “AKR falënderon të gjithë anëtarët dhe mbështetësit për durimin dhe besimin gjatë kësaj periudhe dhe siguron se do të vazhdojë me një energji të re dhe vizion të qartë për të ardhmen,” përfundon njoftimi.