Zgjidhet misteri 1500-vjeçar: Zbulohen faqet e humbura të Dhiatës së Re

Një zbulim i rëndësishëm vjen nga Universiteti i Glasgout, ku një ekip studiuesish ka arritur të rikuperojë 42 faqe të humbura më parë të Dhiatës së Re. Lajmi u publikua fillimisht nga messaggero.it.

Historia e këtyre faqeve nis midis shekujve X dhe XIII, kur murgjit e Manastirit të Madh të Lavrës në Malin Athos, Greqi, çmontonin herë pas here një dorëshkrim të shekullit VI. Faqet e tij ripërdoren si material lidhës dhe fletë mbrojtëse për tekste të tjera. Me kalimin e kohës, i ashtuquajturi “Codice H” u zhduk plotësisht.

Vëllimet e reja, të cilat tashmë përmbanin edhe fletët e dorëshkrimit origjinal, u shpërndanë në të gjithë Evropën. Vetëm falë këmbënguljes së një murgu francez të shekullit XVIII, i cili arriti të identifikojë faqet e humbura në biblioteka në Itali, Greqi, Rusi, Ukrainë dhe Francë, studiuesit e sotëm mundën t’i gjurmonin ato.

Edhe pse përmbajtja e përgjithshme e “Codice H”, që përmban një kopje të letrave të Shën Palit, ishte e njohur në përgjithësi, renditja dhe formulimi i saktë i tekstit kishin mbetur të paarritshëm.

Tani, ekipi i studiuesve nga Universiteti i Glasgout ka rikuperuar 42 faqe të humbura nga ky dorëshkrim i rëndësishëm i Dhiatës së Re. Sipas Artnet, teknologjia që mundësoi zbulimin e këtyre shkrimeve greke 1500-vjeçare është imazheria multispektrale. Kjo teknologji u mundësoi studiuesve identifikimin e gjurmëve të bojës, pothuajse të padukshme për syrin e lirë.