Raporti Ndërkombëtar Kritik për Gjykatën Speciale, Behrami: Kthesë Madhore për Procesin e Hagës
Një raport i nxjerrë nga organizata prestigjioze “Bar Human Rights Committee of England and Wales” ka ngritur shqetësime të thella lidhur me mënyrën e funksionimit të Gjykatës Speciale në Hagë, duke vënë në pikëpyetje standardet e drejtësisë dhe respektimin e të drejtave themelore të të akuzuarve.
Në lidhje me këto gjetje, ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Artan Behrami, ka reaguar duke e cilësuar raportin si një kthesë madhore për procesin e Hagës. Në këtë gjykatë, prej më shumë se pesë vitesh, ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, mbahen në paraburgim.
Behrami shtoi se publikimi i këtij raporti, i cili konstaton shkelje flagrante të të drejtave të njeriut dhe të procedurave gjyqësore, duhet të shërbejë si alarm për shtetet financuese të Dhomave të Specializuara të Kosovës.
“’Bar Human Rights Committee of England and Wales’ është një nga organizatat më serioze në botë dhe njihet për gjetjet e saj të verifikuara. Përgëzoj edhe Avokatin e Popullit, Naim Qelaj, për angazhimin e tij gjatë pesë viteve të fundit për të zbardhur të gjitha shkeljet e të drejtave të njeriut nga Gjykata Speciale”, ka theksuar ai.
