**Ahmeti: Deklaratat e Kurtit për gjuhën shqipe u shfrytëzuan nga antishqiptarët dhe më shqetësuan thellësisht**
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka adresuar çështjen e statusit të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut.
Gjatë emisionit “Debat Plus”, Ahmeti theksoi se qëndrimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, kanë ndikuar në “delegjitimimin” e kërkesave të shqiptarëve dhe i kanë ofruar argumente politike kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.
Sipas Ahmetit, deklaratat se gjuha shqipe nuk ka qenë zyrtare kanë krijuar një situatë shqetësuese, pasi janë shfrytëzuar nga qarqe antishqiptare.
Ai u shpreh se kjo ka ndikuar negativisht në të drejtat dhe përfaqësimin e shqiptarëve, duke theksuar se “gjuha po kontestohet dhe nuk po përdoret më si më parë në institucione”.
Ahmeti theksoi se këto deklarata e kanë delegjitimuar pozicionin e shqiptarëve dhe i kanë ofruar argumente të forta politike kryeministrit Hristijan Mickoski. Ai kritikoi ashpër kryeministrin Kurti, duke thënë: “Kryeministri i Kosovës del dhe thotë se gjuha shqipe kurrë s’ka qenë zyrtare. Për javë të tëra, antishqiptarët më të mëdhenj e shfaqnin në ekran kryeministrin e Kosovës, gjë që mua më gërryente në shpirt, duke thënë: ‘Ja, kryeministri i Kosovës thotë që gjuha shqipe s’ka qenë zyrtare dhe nuk është’”. Sipas tij, ky veprim i ka “hequr shqiptarëve të drejtën legjitime dhe legjitimitetin”. Ahmeti shtoi se kjo ka shkaktuar një devalvim të plotë të situatës, ku “gjuha po kontestohet dhe nuk përdoret më si më parë në institucione”, dhe “përfaqësimi i drejtë është shfuqizuar”.
Këto komente vijnë në një kohë kur debati për statusin e gjuhës shqipe është intensifikuar në Maqedoninë e Veriut, veçanërisht pas protestave të studentëve shqiptarë në Shkup, të cilët kërkojnë që provimet profesionale të mund të mbahen edhe në gjuhën shqipe, në përputhje me legjislacionin aktual.
