**Robert Aliaj, rrëfim emocionues: “Lindja e Galës ndryshoi gjithçka”**
Artisti dhe personaliteti publik, Robert Aliaj, ka ndarë me publikun një rrëfim të thellë dhe emocionues mbi përjetimin e tij si baba me lindjen e vajzës, Galës. Ai përshkruan me detaje momentet e para në maternitet, ndjenjat e ankthit dhe pritjes së një klithme të ëmbël, si dhe gëzimin e papërshkrueshëm kur e mori fëmijën në krahë.
Aliaj shprehet se asnjë përgatitje nuk mund të matet me vrullin e pasionit dhe përqendrimin e thellë që të pushton në ato çaste. Ai kujton se si, i fokusuar vetëm te ajo që po ndodhte para syve, s’shihte më dhomën apo personat përreth. Bashkëshortja, Moza, i shtrëngonte dorën, në një përjetim të përbashkët të pritjes.
Në mënyrë të papritur, mendimet e tij kishin devijuar drejt gjërave nga më të çuditshmet, nga makina e shitur, te një restorant i caktuar, e deri tek emra qytetesh. Ky largim mendor nga realiteti i momentit kulminant e bëri të reflektojë se askush nuk është kurrë vërtet gati për atë çfarë vjen. Ai thekson se ndërsa njerëzit përgatiten për një sërë gjërash të parëndësishme, nuk mund të përgatiten për dhimbjen dhe dashurinë që ndjen kur sheh “udhëtarin më të çmuar të jetës” duke luftuar për të dalë në dritë.
Pas një pritjeje të gjatë dhe ndjesie si “një luftë”, erdhi “një klithmë që nuk i përkiste asnjë gjuhe të njohur”, e ndjekur nga çlirimi dhe pamja e parë e vajzës. Aliaj rrëfen se pamja e Galës në momentin e lindjes, si “një trup i vogël i lagur dhe i errët”, me kokën si top leshi të zi dhe fytyrë krejtësisht të mbuluar, e kishte habitur fillimisht. Por më pas, zëri i saj – “një klithmë e mprehtë si pretendim për ekzistencë” – u shndërrua në një moment të paharrueshëm, një deklaratë se “Ja ku jam. Tani fillon”.
Kur mamia ia vuri në pëllëmbë, Aliaj u ndje i prekur thellësisht. Ai pranon se nuk po qante, por ishte “vetëm… i prekur”, duke u munduar të përpunonte praninë fizike të Galës në duart e tij, aq të vogël dhe të brishtë. Ai e përshkruan këtë si prekjen e “thelbit të jetës”, për të cilën do të jepte jetën pa hezitim. Në atë moment, brenda vetes, ai i premtoi: “Nga ky moment çdo zgjedhja ime do të ketë fytyrën tënde.”
Kur i pëshpëriti emrin “Gala”, ndjeu si “një pllakë tektonike zhvendosi diçka brenda meje”, duke krijuar një “ligj të ri të gravitetit” ku çdo gjë do të tërhiqej drejt kësaj peshe të vogël në pëllëmbën e tij, “që peshon më pak se një shishe qumështi.”
Aliaj reflekton mbi pafajësinë e vajzës, e cila nuk di asgjë për jetën e tij të mëparshme, as për frikërat apo përvojat e vështira të diktaturës. Ai ndjen përgjegjësinë për t’i mësuar asaj botën, pavarësisht se edhe vetë ai ndjen një boshllëk në kujtesën për të afërmit apo për qytetin e tij, Tiranën, të cilën e cilëson si “qytet me Alzheimer” për shkak të mungesës së kujtesës historike.
Ndërsa e mbante fort Galën, bisedat me bashkëshorten, Mozën, i dukeshin si “muzikë që më pëlqente, por që nuk mund ta kuptoja”. Kur infermierja kërkoi ta merrte vajzën, Robert mbeti me krahë të hapur, duke u ndjerë bosh, ndërsa vështronte sytë blu, gati të zinj të Galës, që ndoshta shikonin “gjëra që unë nuk mund t’i shikoja”.
Në ato çaste, mendja i fluturoi tek babai i tij, duke pyetur veten nëse edhe ai kishte ndjerë “këtë terror të pastër të ëmbël”, këtë ndjenjë se diçka shumë e madhe sapo kishte ndodhur dhe “nuk ka kthim prapa”. Kur dikush i tha se “është e bukur”, Aliaj pranon se nuk ishte i sigurt, pasi ajo dukej “si diçka e re, diçka që sapo kishte mbërritur”. Ai hezitoi ta jepte kur infermierja kërkoi ta lante, duke ndjerë një instinkt mbrojtës.
Ndryshe nga Moza, e cila “qeshte dhe qante me ngazëllim”, ai vetë nuk shfaqte emocione të jashtme në atë moment. Më vonë, kur u kthye në dhomë, vuri re Galën duke fjetur në krahët e nënës, një gjumë që ai e përshkruan si “një gjendje liminale më afër prejardhjes ende e pa ankoruar plotësisht këtu”.
I ulur pranë shportës së saj neonatale, Robert Aliaj mendoi: “Kjo është vajza ime. Që do ndryshojë gjithçka në jetën time.” Ai e kuptoi se asgjë nuk do të ishte si më parë, se do të humbiste shumë, por do të fitonte edhe më shumë.
Në orët e para të mëngjesit, i rraskapitur dhe i ngazëllyer, Aliaj la spitalin. Jashtë, ajri i ftohtë i fundverës e përshëndeti, ndërsa në qiellin indigo, ai pa “Hënën më të madhe dhe më të shkëlqyer” që kishte parë ndonjëherë, e varur pikërisht “mbi çatinë e shtëpisë sonë”. Nën dritën magjike të hënës, që i transformonte makinat në “skulptura balte”, ai qëndroi i mahnitur. E krahasoi Galën me hënën e plotë që drejton baticat e oqeaneve, duke thënë se ajo po drejtonte “baticat e zemrës sime”. Të gjitha emocionet e ditës u shndërruan në një lëvizje të vetme, duke e bërë atë “një pikë uji në universin ku një bebe e quajtur Gala ekzistonte”.
Në parkingun e maternitetit, nën atë dritë qiellore, ai i tha vetes: “Tani do fillojmë diçka krejt të re.” Pas kësaj përvoje, ai u fut në makinë, mbylli sytë për disa minuta dhe udhëtoi drejt shtëpisë, në një botë të larë nga drita e hënës, tashmë një baba.
