**Sadudin Hasani inkurajon punëtorët të ngrenë zërin kundër padrejtësive në punë**
Me rastin e 1 Majit, Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve, Sadudin Hasani, përfaqësues i Shoqatës së Bizneseve të Vogla, ka inkurajuar punëtorët të mos heshtin, por të ngrenë zërin kundër shkeljes së të drejtave dhe padrejtësive në vendin e punës. Ai ka theksuar se të drejtat e punëtorëve, sidomos në bizneset e vogla, shpesh nuk respektohen, siç raporton Ekonomia Online.
Hasani ka theksuar se punëtorëve u shkelen të drejtat themelore, duke përmendur mospërfshirjen e pagës minimale dhe mungesën e kushteve adekuate të punës.
“Për institucionet, sa i përket punëtorëve, kërkojmë që t’i respektojnë të drejtat e tyre në bizneset e vogla, sepse shumë punëtorë u shkelen të drejtat dhe nuk respektohet as paga minimale e as kushtet e punës,” ka thënë ai.
Ai ka inkurajuar fuqishëm të gjithë punëtorët që të mos heshtin, por të ngrisin zërin e tyre ndaj çdo parregullsie, duke kërkuar dinjitet dhe respekt për punën që bëjnë.
Hasani shtoi se mesazhi i Shoqatës është që përfaqësuesit institucionalë të jenë në shërbim të qytetarëve dhe të veprojnë në këtë frymë, pra si shërbyes dhe jo si pronarë të vendeve të punës. Ai ngriti edhe shqetësimin për trajtimin e pabarabartë të bizneseve të vogla karshi atyre të mëdha, duke theksuar se të parat shpesh përballen me pengesa që nuk i kanë të dytat, edhe pse duhet të kenë të drejtën për të shfrytëzuar hapësirat sipas rregullave, pa dallim.
1 Maji, Dita Ndërkombëtare e Punës, u shpall në Kongresin e Dytë të Internacionales në Bruksel, më 1891. Kjo ditë përkujton protestat e dhunshme të punëtorëve në Çikago në vitin 1886.
