Në Pejë, një grua ka raportuar se të enjten mbrëma, rreth orës 22:10, në oborrin e shtëpisë së saj është hedhur një mjet shpërthyes.
Menjëherë pas raportimit, Policia e Kosovës ka dalë në vendngjarje. Sipas raportit ditor të Policisë, në oborrin e banesës janë gjetur objekte të dyshimta.
Policia ka detajuar se në vendin e ngjarjes janë zbuluar dy kuti kartoni në formë cilindrike, të cilat ishin vendosur në dy pika të ndryshme. Gjithashtu, janë gjetur dy bombola gazi propani dhe është konstatuar një njollë e bardhë, ku dyshohet se ka ndodhur shpërthimi i një mjeti piroteknik.
Rasti është duke u hetuar nga njësitë përkatëse policore dhe është klasifikuar si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
