Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet për palestinezin Fadi Alwan, i akuzuar për vrasjen e vajzës së tij, Rayyan Alwan, 22-vjeçare, ngjarje e ndodhur një vit më parë në Shqipëri.

Alwan do të akuzohet në mungesë për veprën penale të vrasjes me rrethana cilësuese, për shkak të lidhjeve familjare. Gazetarja Anila Hoxha raporton, duke cituar burime jozyrtare, se prokuroria priti nga Gjermania një letërporosi, e cila duhet të përmbante dëshminë e nënës së viktimës dhe të afërmve të tjerë të saj.

Megjithatë, dëshmitë e marra nga të afërmit e vajzës, e cila u vra në Tiranë në shkurt të vitit të kaluar, nuk ofruan asnjë informacion të ri thelbësor për hetimin. Më herët, autoritetet libaneze kanë refuzuar ekstradimin e babait, i akuzuar për vrasjen.