**Reagimi i Berlinit pas planeve amerikane për tërheqjen e trupave nga Gjermania**
**BERLIN** – Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, ka reaguar ndaj vendimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të tërhequr një pjesë të trupave të saj nga Evropa, duke e cilësuar këtë si një zhvillim të parashikueshëm.
Pistorius theksoi se evropianët duhet të marrin më shumë përgjegjësi për sigurinë e kontinentit dhe se është urgjente forcimi i kapaciteteve mbrojtëse evropiane. “Ishte e parashikueshme që SHBA do të tërhiqte trupat nga Evropa, përfshirë edhe Gjermaninë,” deklaroi Pistorius.
Sipas tij, ky vendim është pjesë e një procesi më të gjerë, ku Evropa duhet të përqendrohet në rritjen e vetëpërgjegjësisë dhe në zhvillimin e kapaciteteve të saj ushtarake.
Në përgjigje të këtij ndryshimi, ministri njoftoi se Gjermania do të intensifikojë bashkëpunimin me “Grupin e Pesë”, një aleancë e përbërë nga Mbretëria e Bashkuar, Franca, Italia dhe Polonia, për misionet e sigurisë dhe mbrojtjes që do të zhvillohen në të ardhmen.
Ndërkohë, Pentagoni ka konfirmuar planet për të tërhequr rreth 5000 trupa amerikane nga territori gjerman. Kjo tërheqje pritet të realizohet brenda një periudhe 6-12 muajsh dhe është pjesë e një strategjie të re që synon të riorganizojë praninë ushtarake të SHBA-së në kontinentin evropian.
Gjermania ka luajtur një rol qendror në praninë ushtarake amerikane në Evropë për dekada, duke shërbyer si bazë logjistike dhe operacionale për misionet e NATO-s dhe operacionet amerikane globalisht.
Tërheqja e trupave nga Evropa reflekton një ndryshim të qëndrueshëm në strategjinë e sigurisë amerikane, i cili mund të ketë pasoja të rëndësishme për stabilitetin dhe praninë ushtarake të SHBA-së në rajon.
