Arbeloa: Çfarë ndodh në dhomën e zhveshjes, mbetet aty
Trajneri i Real Madridit, Alvaro Arbeloa, ka refuzuar të komentojë situatën me mesfushorin Dani Ceballos, pas njoftimeve se marrëdhënia mes tyre është acaruar për shkak të një mosmarrëveshjeje. Mesfushori 29-vjeçar mungoi papritur nga lista e ekipit për ndeshjen ndaj Real Betis javën e kaluar, edhe pse nuk ishte i dëmtuar.
Sipas njoftimeve, Ceballos mund të ketë luajtur tashmë ndeshjen e fundit me Real Madridin, pasi thuhet se u ka bërë të ditur bashkëlojtarëve në dhomën e zhveshjes se i ka ndërprerë marrëdhëniet me Arbeloan dhe nuk do të luajë më, megjithatë do të vazhdojë të stërvitet me ekipin.
I pyetur për një çështje të mundshme disiplinore, Arbeloa u përgjigj: “Nuk përfshihem në debate publike për lojtarët e mi. Kanë kaluar 20 vjet që kur u stërvita si lojtar i Real Madridit dhe gjëja e parë që mësova nga lojtarët me eksperiencë ishte se çfarë ndodh në dhomën e zhveshjes së Real Madridit, mbetet në dhomën e zhveshjes së Real Madridit.”
Në kryeqytetin spanjoll po flitet shumë edhe për trajnerin e ardhshëm të klubit, me Jose Mourinhon që lidhet fort me këtë post. Portugezi mohoi negociatat të premten, ndërsa Arbeloa deklaroi se nuk shqetësohet nga këto spekulime. “Jo, jam i fokusuar te ndeshja e radhës dhe zhurma nuk më shqetëson. I kuptoj të gjitha pyetjet që duhet të më bëni, por përgjigjja ime mbetet e njëjtë. Ajo që më intereson është ndeshja e nesërme dhe tri pikët, që për mua janë më të rëndësishme për ekipin, lojtarët dhe klubin.”
Ceballos nuk është lojtari i vetëm me të cilin Arbeloa thuhet se ka marrëdhënie të tensionuara. Sipas njoftimeve, edhe Raul Asencio dhe Dani Carvajal nuk janë në raporte të mira me trajnerin. Megjithatë, Arbeloa mohoi çdo zhgënjim ndaj futbollistëve të tij. “Sigurisht që jo, unë i mbroj ata publikisht. Varem prej tyre për atë që më tregojnë çdo ditë. Kjo është ajo që duhet të bëjë një trajner. Kemi një marrëdhënie të hapur me shumicën prej tyre dhe çdo gjë që duhet zgjidhur, zgjidhet mes nesh. Unë gjithmonë do t’i mbroj nga ky pozicion.”
Sa i përket rezultateve zhgënjyese në muajt e fundit, Arbeloa pranoi se ekipi ka nevojë për më shumë grintë në fushë. “Ka shumë ndeshje dhe rezultatet janë larg asaj që duhet të arrijë Real Madridi. Sot nuk mund të fitosh vetëm duke dalë në fushë. Duhet të përmirësohemi shumë si ekip. Talenti që kemi nuk mjafton për të mbajtur topin dhe për të luajtur në mënyrë individuale. Na duhet një plan, një strukturë, një mënyrë për t’ia prishur lojën kundërshtarit… Ata kanë një mentalitet ndryshe dhe ne e kemi paguar me humbje pikësh.”
Megjithatë, ai hodhi poshtë idenë se ekipi vuan nga mungesa e vullnetit. “Këto janë vlerësime që i takojnë mediave. Kemi humbur pikë ndaj kundërshtarëve që nuk duhej dhe kjo dhemb më shumë. Ka situata të vështira për t’u kontrolluar dhe ndodhin shpesh. Duhet të luftojmë.”
