Një shofer kosovar i dënuar me burg për plagosjen rëndë të një nëne dhe fëmijës së saj në një aksident në Zvicër, është zhdukur dhe kërkohet nga autoritetet, pasi nuk ka filluar ende vuajtjen e dënimit. Kjo është bërë e ditur nga një hulumtim i “SRF Rundschau”.

Ngjarja daton në vitin 2019, kur një shofer i ri shkaktoi plagosjen e rëndë të një nëne dhe fëmijës së saj në Dietikon. Pas disa vitesh procese gjyqësore, vendimi tashmë është i formës së prerë, por i dënuari nuk e ka nisur kurrë vuajtjen e dënimit. Ky rast i rëndë ka vazhduar të mbajë në qendër të vëmendjes sistemin e drejtësisë zvicerane.

Shoferi, asokohe 18-vjeçar dhe me shtetësi kosovare, humbi kontrollin e automjetit të tij tip BMW në Bernstrasse të Dietikonit. Makina doli në korsinë e kundërt, ku u përplas ballë për ballë me një automjet tip Ford, në të cilin udhëtonin një grua dhe vajza e saj katërvjeçare. Si pasojë e përplasjes së fuqishme, nëna dhe vajza pësuan lëndime që rrezikuan jetën. Edhe pse i mbijetuan aksidentit, ato ende vuajnë nga pasojat e tij. Vetë shoferi nuk pësoi lëndime.

Hetimet zbuluan se shoferi po drejtonte një automjet të fuqishëm dhe kishte çaktivizuar sistemet e sigurisë. Më pas, ai humbi kontrollin e automjetit në rrugën e lagësht.

Çështja u dërgua në gjykatë dhe u apelua në disa shkallë të gjyqësorit. Pas një procesi të gjatë, vendimi mori formë të prerë në vitin 2025. Gjykata e dënoi kosovarin me rreth katër vite burg, ndër të tjera për shkaktim të dëmtimeve të rënda trupore. Gjykata arriti në përfundimin se veprimet e tij nuk ishin nga neglizhenca, por të qëllimshme.

**Një zhvillim që shqetëson autoritetet**

Megjithatë, siç zbulon një hetim i “SRF Rundschau”, i dënuari ende nuk ka nisur vuajtjen e dënimit. Ai është fshehur dhe tashmë po kërkohet nga autoritetet. Zyrtarët nuk japin detaje për vendndodhjen e tij, për shkak të rregullave të mbrojtjes së të dhënave.

Megjithatë, prokurori përgjegjës e cilëson vendimin si të rëndësishëm, duke theksuar se ai përcjell një mesazh të qartë mbi mënyrën si vlerësohen ligjërisht vepra të tilla penale.

Ky rast është pjesë e një trendi që po shkakton shqetësim në rritje te autoritetet. Në Kantonin e Cyrihut, numri i shkeljeve serioze të shpejtësisë është rritur ndjeshëm vitet e fundit. Është veçanërisht shqetësuese që aksidente të tilla shpesh ndodhin me automjete shumë të fuqishme. Sipas organeve ligjzbatuese, shpesh përfshihen të rinj në raste të tilla, dhe në shumë raste, pasojat më të rënda i vuajnë palët e treta të pafajshme. /Albinfo.ch