**Barrë Financiare nga Vendimet Gjyqësore: Rama Denoncon Mbi 12 Milionë Euro të Marrë Kryeqytetit**
Vendimet gjyqësore që rrjedhin nga kontratat kolektive po shkaktojnë një barrë të madhe financiare për buxhetet e komunave në Kosovë. Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar se vetëm kryeqytetit i janë tërhequr rreth 12 milionë euro si pasojë e këtyre vendimeve.
Në një deklaratë për Ekonomia Online, kryetari Rama e ka cilësuar këtë dukuri si të padrejtë, duke nënvizuar se veprime të tilla po ndërmerren qëllimisht nga niveli qendror.
“Është diçka që duket se është bërë qëllimisht nga niveli qendror vetëm për t’i pamundësuar komunat në zhvillimin e projekteve të tyre. Një kontratë kolektive, përgjegjësia për të cilën i takon ministrisë dhe pagesat duhet të bëheshin nga qeveria, i është bartur padrejtësisht komunave,” u shpreh Rama. Ai shtoi se kjo padrejtësi ka bërë që një numër i madh komunash të mos zhvillojnë projekte të rëndësishme në infrastrukturë, shëndetësi, arsim dhe fusha të tjera.
Kryetari i Prishtinës ritheksoi se komuna e tij ka paguar rreth 12 milionë euro nga vendimet gjyqësore, duke e cilësuar këtë si një barrë të madhe financiare. Ai theksoi se, ndonëse Prishtina mund të ketë mundësi për ta tejkaluar këtë situatë falë rritjes së fondeve, shumë komuna të tjera varen plotësisht nga këto fonde dhe janë bllokuar totalisht. “Është një çështje që ministria e ka nënshkruar, ministria ishte dashur të merrte përgjegjësinë, ministria ishte dashur të bënte pagesën, ndërsa ata kanë vepruar të kundërtën, duke ua bartur barrën komunave në mënyrë të padrejtë,” përfundoi Rama.
Lidhur me këtë çështje, Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, kishte njoftuar ditë më parë se komunat kanë humbur mbi 344 milionë euro gjatë periudhës 2022–2026, kryesisht si pasojë e vendimeve gjyqësore të lidhura me kontratat kolektive. Ai shtoi se vetëm në muajt e parë të vitit 2024 janë ekzekutuar rreth 55 milionë euro.
