Policia shqiptare arreston 23-vjeçarin francez, të kërkuar ndërkombëtarisht për drogë, do të ekstradohet në Kosovë

Policia shqiptare ka arrestuar një 23-vjeçar me inicialet E.M., banues në Francë, i cili ishte në kërkim ndërkombëtar. Arrestimi u bë në pikëkalimin kufitar të Muriqanit, një prej vendkalimeve kryesore tokësore midis Shqipërisë dhe Malit të Zi.

I riu do të ekstradohet në Kosovë, ku akuzohet për “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, E.M. u kap nga shërbimet e Policisë Kufitare të Muriqanit. Kapja erdhi si rezultat i kontrolleve të shtuara dhe shkëmbimit të informacionit me Interpol Tiranën, ndërsa shtetasi tentonte të dilte nga Republika e Shqipërisë.

Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, me urdhër të autoriteteve kosovare, pikërisht për veprën penale të “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”, sipas Kodit Penal të Kosovës.

Interpol Tirana, në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet e Kosovës, do të kryejë të gjitha procedurat e nevojshme për ekstradimin e 23-vjeçarit drejt Kosovës.