Policia e Kosovës për rajonin e Prishtinës ka zhvilluar aktivitete të shumta operative gjatë javës së kaluar në lokacione të ndryshme dhe përmes aksioneve të ndara, ku në total janë realizuar 120 urdhëresa të gjykatës
Sipas njoftimit të policisë, nga këto urdhëresa, 32 prej tyre kanë qenë për vepra penale, ndërsa pjesa tjetër kanë të bëjnë me kundërvajtje, seanca gjyqësore, si dhe verifikime të ndryshme.
Policia ka bërë të ditur se aktivitetet e saj janë shtrirë edhe në segmente të tjera të sigurisë publike, ku gjatë së njëjtës periudhë kohore janë sekuestruar 10 armë zjarri të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm, si dhe sasi të konsiderueshme municionesh.
Pas përfundimit të procedurave policore, personat e dënuar me burgim janë shoqëruar dhe dërguar për vuajtje të dënimit, ndërsa ata që ishin të dënuar me gjoba janë liruar pasi kanë përmbushur obligimet e përcaktuara në urdhëresa.
“Në po të njëjtën periudhë kohore, kanë rezultuar me shqiptimin e 4672 masave administrative me gjobë për lloje të ndryshme të kundërvajtjeve dhe shkeljeve të kodit rrugor, prej tyre 590 të evidentuara nga vetura inteligjente dhe vetura me radar mobil,” thuhet në njoftim.
Policia e Kosovës thekson se këto aktivitete janë pjesë e angazhimeve të vazhdueshme për rritjen e sigurisë publike dhe respektimin e ligjit në të gjitha segmentet e jetës.
