Kurti falënderon kryeministrin e Finlandës për mbështetjen e Kosovës, veçanërisht për anëtarësimin në Këshillin e Evropës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një takim me kryeministrin e Finlandës, Petteri Orpo, gjatë samitit të Komunitetit Politik Evropian në Jerevan.

Sipas Zyrës së Kryeministrit, z. Kurti shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Finlandës ndaj Kosovës. Ai falënderoi homologun e tij veçanërisht për përkrahjen e fuqishme në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, si dhe për përparimin drejt statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian.

Kurti vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin dhe ndihmën e Finlandës në luftimin e dezinformimit, duke e konsideruar atë një element thelbësor për mbrojtjen e hapësirës demokratike dhe informimin e saktë të publikut.

Gjatë takimit u theksua përvoja e Finlandës në konceptin e mbrojtjes gjithëpërfshirëse, e cilësuar si një model i avancuar i organizimit shtetëror dhe shoqëror përballë sfidave të sigurisë, të cilin e ka miratuar edhe Qeveria e Kosovës.

Në përfundim, të dy kryeministrat riafirmuan gatishmërinë për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe zgjerimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.