Çitaku përjashton Fatmir Limajn nga lista e PDK-së: Përfshirja e tij nuk është fare në diskutim
Anëtarja e Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka hedhur poshtë mundësinë e përfshirjes së kryetarit të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, në listën zgjedhore të PDK-së për zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit.
Në një prononcim për emisionin “Frontal” në T7, Çitaku theksoi se synimi i PDK-së është hartimi i një liste sa më gjithëpërfshirëse, por me theks te figurat e reja politike.
Ajo shtoi se skena politike në Kosovë ka nevojë për personalitete të reja, duke argumentuar se shumë prej politikanëve aktualë, përfshirë edhe veten, kanë një jetë të tërë në politikë. Lidhur me Fatmir Limajn, Çitaku u shpreh prerë: “Nuk është diskutuar fare çështja e zotit Limaj dhe nuk pres që të ketë një epilog ndryshe nga ai që ishte në zgjedhjet e fundit.”
Më tej, ajo sqaroi se çështja e përfshirjes së Limajt në listë diskutohet vetëm në studiot televizive, ndërsa në strukturat drejtuese të partisë së saj, kjo çështje “nuk është fare në diskutim”.
