Ndërsa Kylian Mbappé po përballet me një valë kritikash dhe pikëpyetje në rritje mbi profesionalizmin e tij, është Vinícius Júniori ai që ka marrë rolin e liderit te Real Madridi në një moment kur skuadra vazhdon të mbetet pas ritmit për titullin në La Liga të vendosur nga Barcelona.
Për më tepër, ylli brazilian i është bashkuar një grupi elitar legjendash të klubit që ndajnë një arritje të përbashkët rekord.
Me dopietën e tij kundër Espanyolit, Vinícius Jr arriti në kuotën e 21 golave në të gjitha garat këtë sezon.
Duke bërë këtë, ai u bë lojtari i tetë në historinë e klubit që shënon 20 ose më shumë gola në të paktën pesë sezone radhazi.
Numri “7” i Real Madridit i bashkohet një liste prestigjioze që përfshin Pahiño, Alfredo Di Stéfano, Ferenc Puskás, Hugo Sánchez, Raúl, Cristiano Ronaldo dhe Karim Benzema.
Kjo formë e shkëlqyer vjen në një kohë kur skuadra është pa Mbappén, i cili vazhdon të jetë jashtë për shkak të një dëmtimi.
Një raportim i “ESPN” bën me dije se francezi pësoi një çarje të lehtë të fibrave muskulore gjatë ndeshjes kundër Real Betisit, megjithatë klubi beson se ai do të bëjë gjithçka për t’u rikthyer në kohë për “El Clásico”.
Pavarësisht heroizmave individualë të Vinícius, skuadra – që do ta përfundojë sezonin me Álvaro Arbeloa në stol – pritet ta mbyllë edicionin pa trofe.
Pa asnjë titull në kabinet, edhe e ardhmja e trajnerit mbetet e pasigurt./GazetaExpress/
