Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ka ndërmarrë një sërë riorganizimesh në misionet diplomatike dhe konsullore të Kosovës, duke përfshirë emërime dhe lirime nga detyra.

Presidenca shpjegon se veprimet e ndërmarra në lidhje me përfaqësimin diplomatik dhe konsullor janë procedura të rregullta institucionale. “Ato lidhen me plotësimin e pozitave të paplotësuara, përfundimin e mandateve, propozimet dhe rikonfirmimet e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), si dhe me funksionalizimin e përfaqësimit diplomatik e konsullor të Republikës së Kosovës,” theksoi Presidenca përmes përgjigjeve zyrtare.

Për KALLXO.com, Presidenca ka dhënë detaje mbi këto ndryshime:

* **Lirije Berisha** është emëruar ambasadore e Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Tajlandës, njëherësh Shefe e Misionit. Ky mision nuk kishte pasur ambasador që nga 24 qershori 2020, ndërsa rekomandimi i MPJD-së për emërimin e Berishës është bërë më 5 qershor 2024.
* **Heroina Telaku** është liruar nga detyra pas përfundimit të mandatit si ambasadore në Panama dhe është emëruar ambasadore në Republikën e Kolumbisë.
* **Suzan Novobrdaliu** ka përfunduar mandatin dhe është kthyer në MPJD. Në vend të saj është emëruar **Kenan Tora**, pas përmbushjes së kritereve të kërkuara.
* **Vehbi Miftari** është liruar nga detyra “pas konstatimit të shkeljeve të etikës profesionale dhe dëmtimit të integritetit dhe reputacionit të shërbimit diplomatik”, sipas Presidencës. KALLXO.com i ka dërguar pyetje Miftarit në lidhje me këtë arsye dhe është në pritje të përgjigjes.
* Në vend të Miftarit është emëruar **Ruvelt Frrokaj**.
* **Enis Xhemajli** është emëruar ambasador i Republikës së Kosovës në Panama, pas përfundimit të mandatit të Telakut.

Gjithashtu, janë bërë dy riorganizime në përfaqësimin konsullor, që lidhen me funksionalizimin e Konsullatës së Përgjithshme në Dyseldorf dhe asaj në Gjenevë.

* **Behar Isma** është emëruar Konsull i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Republikën Federale të Gjermanisë, me seli në Dyseldorf. Propozimi është pranuar në Presidencë më 12 gusht 2024 dhe, pas përmbushjes së procedurave të përcaktuara me aktet përkatëse nënligjore, është rikonfirmuar nga MPJD.
* **Floreta Kabashi** është emëruar Konsulle e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Konfederatën e Zvicrës, me seli në Gjenevë. Edhe ky propozim është pranuar në Presidencë më 12 gusht 2024 dhe, pas përmbushjes së procedurave të përcaktuara me aktet përkatëse nënligjore, është rikonfirmuar nga MPJD.

Presidenca theksoi se “bëhet fjalë për vendime të bazuara në procedurë, në përfundim mandatesh, në propozime të MPJD-së dhe në nevojën që përfaqësimi diplomatik e konsullor i Republikës së Kosovës të jetë funksional dhe profesional.”

Këto ndryshime u bënë publike pasi ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, konfirmoi se në shërbimet diplomatike të Kosovës janë bërë gjithsej tetë emërime të reja, tri lirime nga detyra dhe dy riorganizime të misioneve konsullore. Haxhiu deklaroi se ka trashëguar një numër të madh çështjesh nga ish-Presidentja Osmani dhe se ka shtyrë përpara ato ku procedurat ishin në rregull.

**Deklarata e ish-shefit të Misionit në Selinë e Shenjtë**

Në lidhje me lirimin e tij, Vehbi Miftari, i cili ishte shef i Misionit të Posaçëm diplomatik të Kosovës në Selinë e Shenjtë (Vatikan), njoftoi në Facebook se kishte pranuar dekretin e ushtrueses së detyrës së Presidentes, Haxhiu, për lirimin nga detyra. “Ky dekret shënon përfundimin e mandatit tim në Vatikan. Sigurisht, jo angazhimin tim për Republikën, së cilës i kam shërbyer çdo herë me përkushtim, pa kërkuar kurrë shpagim,” shkroi Miftari, duke e mbyllur njoftimin me fjalët “Me përvujtni!”.

Miftari e quajti “nder jetësor” faktin që ishte i pari shef i Misionit në Vatikan dhe falënderoi ish-presidenten Vjosa Osmani për besimin. Ai e përshkroi periudhën dyvjeçare si “plot angazhim e sfida të njëpasnjëshme, ndonjëherë të pakuptimta, me më shumë a më pak përkrahje, por të bukura e frytdhënëse, gjithsesi.”

Në fund, Miftari shprehu angazhimin se do të sigurohet që “vendimet tona të mos lëndojnë raportet e krijuara me aq mund” kur t’ia dorëzojë mandatin pasardhësit ose pasardhëses. /KALLXO.com