**Shkëmbim zjarri pranë Shtëpisë së Bardhë, plagoset një person**

Shërbimi Sekret i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka qenë protagonist në një incident me armë zjarri pranë Shtëpisë së Bardhë, pas një përplasjeje me një person të armatosur. Mediat amerikane raportojnë se pas ngjarjes, u morën masa të menjëhershme sigurie dhe zona u bllokua përkohësisht.

Ngjarja ndodhi rreth orës 15:30, në afërsi të Monumentit të Uashingtonit, pak minuta pasi autokolona e zëvendëspresidentit JD Vance kaloi në zonë. Sipas autoriteteve, agjentët në patrullim identifikuan një individ të dyshimtë me armë zjarri. Kur oficerët iu afruan, personi tentoi të largohej në këmbë dhe më pas hapi zjarr ndaj tyre.

Forcat e sigurisë reaguan menjëherë, duke iu kundërpërgjigjur me armë, çka rezultoi në plagosjen e sulmuesit. Ai u transportua menjëherë në spital. Identiteti dhe motivet e tij mbeten ende të paqarta, raporton a2cnn, transmeton Klankosova.tv.

Gjatë shkëmbimit të zjarrit, një i mitur që ndodhej në zonë u prek nga plumbat e personit të armatosur. Fatmirësisht, lëndimet e tij nuk konsiderohen kërcënuese për jetën. Autoritetet nuk kanë konfirmuar nëse objektivi i sulmit ishte ndonjë figurë e lartë shtetërore.

Si masë paraprake, Shërbimi Sekret evakuoi përkohësisht gazetarët nga zona përreth dhe kufizoi aksesin në kompleksin presidencial. Policia e Uashingtonit po vijon hetimet, ndërsa disa rrugë pranë vendit të ngjarjes do të qëndrojnë të mbyllura për disa orë.