**Prizren: Identifikohet Personi i Gjetur i Vdekur**

Më 26 mars 2026, rreth orës 11:36, Policia e Kosovës ka marrë një njoftim për gjetjen e një personi të pajetë në rrugën “Edit Durham” në Prizren.

Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë patrullat policore, së bashku me ekipet hetimore dhe të kriminalistikës.

Viktima ishte një mashkull i moshuar, rreth 70 vjeç, pa shenja të dukshme dhune. Trupi i tij i pajetë u dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për ekzaminime të mëtejshme. Pas konsultimit me prokurorin kompetent, rasti është iniciuar si “hetim i vdekjes”.

Fillimisht, me qëllim identifikimin e viktimës, Policia kërkoi ndihmën e qytetarëve përmes mediave.

Ndërkohë, hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve në Prizren ndërmorën veprime të shpejta në terren, duke mbledhur informacione dhe duke kontaktuar me familjarët e personit.

Bazuar në të dhënat e siguruara, u arrit të identifikohej vendbanimi i viktimës dhe familjarët e tij konfirmuan zyrtarisht identitetin e tij.

Policia e Kosovës falënderon mediat për bashkëpunimin e treguar dhe ndihmën e dhënë gjatë këtij procesi, si dhe qytetarët për kontributin e tyre. Institucionet përgjegjëse do të vazhdojnë me procedurat ligjore të nevojshme për zbardhjen e plotë të rastit.