U raportua sonte se, në vazhdën e shkarkimeve në Drejtoritë e Kryeqytetit, kryetari Përparim Rama kishte shkarkuar edhe drejtoreshën e Kulturës, Sibel Halimi.
Megjithatë, largimi i Halimot nga ky dikaster ka të bëjë me përfundim mandati tash e ca kohë, raporton IndeksOnline.
Me rikthimin e Galerisë së Arteve në Prishtinë, Sibel Halimi kishte njoftuar përfundimin e mandatit qysh në dhjetor.
Këtë gjë, ajo e ka rikonfirmuar për IndeksOnline.
“Dua të sqaroj se raportimet për “shkarkimin tim nga detyra e Drejtores së Kulturës” nuk qëndrojnë.
Siç kam bërë të ditur edhe më herët, që në dhjetor 2025 kam paralajmëruar përmbylljen e angazhimit tim në Drejtorinë e Kulturës, ku kam shërbyer që nga mandati i kaluar” deklaroi Halimi.
Sipas saj, ky proces ka qenë i planifikuar dhe është zhvilluar në vijimësi, në përputhje të plotë me praktikat institucionale.
“Çdo interpretim tjetër nuk pasqyron realitetin” përfundoi Halimi.
Halimi ishte emëruar në krye të Drejtorisë së Kulturës në shkurt të 2024-tës./IndeksOnline/
