Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj tetë personave për krime lufte kundër popullsisë civile, të cilët dyshohet se janë përgjegjës për vrasjen e 65 civilëve dhe zhdukjen e 12 të tjerëve në Gjakovë, gjatë periudhës mars 1999.

Prishtinë, 6 maj 2026 – Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar ngritjen e aktakuzës ndaj tetë personave, me iniciale M.K, V.M., D.R., Z.D., C.B., M.I., S.S. dhe S.K. Ata akuzohen për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.

Sipas aktakuzës, të pandehurit dyshohet se nga 24 deri më 31 mars 1999, në qytetin e Gjakovës, gjatë një operacioni të gjerë dhe duke vepruar në bashkëpunim me struktura policore, ushtarake dhe paramilitare serbe, kanë kryer vrasje, dëbim të popullsisë civile, si dhe shkatërrim e plaçkitje të pronave të tyre.

Ekziston dyshimi i bazuar se gjatë këtij operacioni të forcave policore, paramilitare dhe ushtarake serbe, janë vrarë 65 civilë dhe janë zhdukur 12 civilë të tjerë.

Për shkak se të pandehurit janë të paarritshëm për organet e drejtësisë, Prokuroria Speciale i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë mbajtjen e gjykimit në mungesë, bazuar në nenet 234 dhe 303 të Kodit të Procedurës Penale.

Prokuroria thekson se mbetet e përkushtuar në ndjekjen e të gjitha rasteve të krimeve të luftës, në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare, me qëllim sigurimin e drejtësisë për viktimat dhe forcimin e sundimit të ligjit.