Mohammed Bagher Ghalibaf, Kryetari i Parlamentit të Iranit, ka bërë deklarata të forta në një mesazh zanor drejtuar popullit iranian, duke nënvizuar vendosmërinë e vendit përballë presioneve të jashtme.

“Populli iranian parapëlqen të vdesë sesa të dorëzohet. Dhe në fund, ai do të fitojë,” deklaroi Ghalibaf, duke shtuar se, sipas tij, iranianët posedojnë një “vetëdije historike” dhe janë të vendosur të rezistojnë “me çdo kusht” ndaj atyre që ai i quajti “armiq kriminalë”.

Ai pohoi se kundërshtarët e Iranit kërkojnë të dobësojnë vendin me anë të presionit ekonomik, “bllokadës detare” dhe “luftës mediatike”. Qëllimi i tyre, sipas Ghalibaf, është krijimi i përçarjeve të brendshme dhe detyrimi i Teheranit për t’u dorëzuar.

“Ne nuk përjashtojmë mundësinë e një sulmi ushtarak apo terrorist, por thelbi i planit të armikut është dobësimi i Iranit nga brenda,” tha ai.

Ghalibaf paralajmëroi gjithashtu për atë që e quajti “luftë e madhe në historinë e re të Iranit”, duke theksuar se përfundimi do ta kthejë vendin në një faktor me ndikim në skenën ndërkombëtare.

“Fitorja përfundimtare do t’i sjellë Iranit përparim material dhe shpirtëror, edhe pse rruga drejt këtij objektivi do të shoqërohet me vështirësi,” përfundoi ai.