Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka kritikuar vendimin e Gjykatës Speciale për shtyrjen e shpalljes së aktgjykimit për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) deri më 20 korrik. Ai theksoi se Kosova ka nevojë për gjykata normale, jo për gjykata speciale.
Kurti u shpreh para gazetarëve se Qeveria mori vesh për shtyrjen dy mujore të vendimit, si dhe publiku, pasi ajo nuk ka qasje në dinamikat dhe zhvillimet e Speciales, e cila, sipas tij, “nuk karakterizohet nga transparenca ndaj vendit tonë”.
“Është e domosdoshme të nxirren mësimet nga gabimet politike që na kanë sjellë në këtë situatë, ku në vend të gjykatave normale, kemi një gjykatë speciale, e cila tani vonon vendimet e saj,” shtoi Kurti.
Kryeministri përsëriti besimin në drejtësinë e UÇK-së dhe në pafajësinë e krerëve e luftëtarëve të saj, të cilët, sipas tij, “padrejtësisht vazhdojnë të mbahen në burg në Hagë.”
Kurti argumentoi më tej se lufta e UÇK-së “ishte dhe do të mbahet mend gjithmonë në histori si një luftë e drejtë, kundër një okupatori armik me një projekt gjenocidal ndaj popullit tonë. Njëkohësisht, ajo ishte edhe një luftë antikolonialiste, pasi ky nuk ishte gjenocidi i fundit; ishte i katërti që Serbia ka kryer ndaj popullit tonë në më pak se një shekull e gjysmë.”
