**Aksion i Prokurorisë dhe IPK-së kundër korrupsionit në tri qytete**
Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi se, në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK) dhe Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, po zhvillohen dy aksione të ndara në disa lokacione në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Obiliq.
Sipas njoftimit, këto aksione po kryhen me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe përfshijnë bastisjen e pesë personave zyrtarë dhe dy civilëve, të dyshuar për veprimtari kriminale.
Të dyshuarit po hetohen për disa vepra penale, mes të cilave keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, shkelja e fshehtësisë së procedurës, marrja e deklaratave nën shtrëngim, keqpërdorimi i informacionit zyrtar, mashtrimi, legalizimi i përmbajtjes së rreme, marrja dhe dhënia e ryshfetit.
Sipas dyshimeve fillestare të hetuesisë, të dyshuarit, në bashkëveprim, dyshohet se kanë siguruar përfitime pasurore të paligjshme përmes falsifikimit të dokumenteve pronësore dhe ndryshimit të paligjshëm të pronësisë.
Gjithashtu, pesë zyrtarët e përfshirë dyshohen se kanë tejkaluar kompetencat ligjore dhe kanë keqpërdorur pozitën zyrtare për të mundësuar përfitime të paligjshme.
Prokuroria Themelore në Prishtinë theksoi se, në bashkëpunim me institucionet kompetente, mbetet e përkushtuar në luftën kundër kriminalitetit dhe korrupsionit, duke paralajmëruar se do të ndërmerren të gjitha veprimet hetimore të nevojshme në përputhje me ligjin.
