Shtatë persona, përfshirë katër zyrtarë policorë, janë arrestuar sot në Kosovë në kuadër të një aksioni të gjerë kundër krimeve ekonomike dhe korrupsionit. Operacioni, i zhvilluar në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Obiliq, vjen pas urdhrave të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë, përkatësisht Departamenti për Krime të Rënda, në koordinim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, zhvilluan dy aksione të ndara.
Burime të afërta me hetimet bëjnë me dije se në mesin e të arrestuarve janë katër zyrtarët policorë: Bleon Beqiri, Alfred Ismajli, Artan Shala dhe Vlonjat Behrami. Përveç tyre, është arrestuar edhe një zyrtar komunal, si dhe dy qytetarë civilë.
Aksionet përfshijnë bastisje ndaj pesë personave zyrtarë dhe dy qytetarëve, të cilët dyshohen për përfshirje në aktivitete kriminale. Sipas dyshimeve fillestare dhe hetimeve të deritanishme, të arrestuarit dyshohen se, në bashkëpunim, kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme pasurore, duke falsifikuar dokumente pronësore dhe duke ndryshuar paligjshmërisht pronarët.
Pesë nga zyrtarët e dyshuar akuzohen gjithashtu për keqpërdorim të pozitës dhe autorizimeve zyrtare, duke tejkaluar kompetencat e tyre ligjore me qëllim të mundësimit të përfitimeve të kundërligjshme.
Veprat penale për të cilat dyshohen përfshijnë: “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” (neni 414 KPRK), “Shkelja e fshehtësisë së procedurës” (neni 392 KPRK), “Marrja e deklaratave me anë të shtrëngimit” (neni 194 KPRK), “Keqpërdorimi i informatës zyrtare” (neni 416 KPRK), “Mashtrimi” (neni 323 KPRK), “Legalizimi i përmbajtjes së rreme” (neni 395 KPRK), “Marrja e ryshfetit” (neni 421 KPRK) dhe “Dhënia e ryshfetit”.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka riafirmuar angazhimin e saj për të luftuar krimin dhe korrupsionin, duke u zotuar se do të ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore të nevojshme në përputhje me ligjin.
