Ministri i Shqipërisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi sot një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, ku diskutuan çështje të rëndësishme mbi situatën aktuale gjeopolitike dhe rolin e Aleancës.

Përmes një postimi në platformën X, Ministri Hoxha bëri të ditur se ky ishte takimi i tij i parë me Sekretarin Rutte në cilësinë e ministrit, duke nënvizuar angazhimin në rritje të Shqipërisë brenda NATO-s. Të dy zyrtarët ndanë mendimin se në mjedisin e sigurisë, gjithnjë e më kompleks dhe të paparashikueshëm, NATO është më e rëndësishme dhe më e domosdoshme se kurrë. Forcimi i mbrojtjes kolektive, rritja e shpenzimeve të mbrojtjes dhe mbështetja e palëkundur për Ukrainën u theksuan si prioritete kyçe.

Lidhur me Ballkanin Perëndimor, Hoxha dhe Rutte riafirmuan se angazhimi i vazhdueshëm i NATO-s mbetet thelbësor për ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë afatgjatë në rajon. Ministri Hoxha theksoi në veçanti rëndësinë e pranisë së KFOR-it në Kosovë, duke e cilësuar atë si një faktor të domosdoshëm stabilizues. Ai shtoi se Shqipëria do të vijojë të investojë në bashkëpunim më të fortë rajonal dhe koordinim më të ngushtë midis aleatëve.

Hoxha nënvizoi se Shqipëria ka dëshmuar vazhdimisht veten si një aleat i besueshëm, i përkushtuar dhe aktiv, duke rritur kontributin në sigurinë kolektive përmes investimeve në mbrojtje dhe modernizimit të Forcave të Armatosura.

Gjatë takimit u diskutuan gjithashtu përgatitjet e Shqipërisë për të pritur samitin e ardhshëm të NATO-s në Tiranë, i cili do të jetë i pari që zhvillohet në Ballkanin Perëndimor. Ky angazhim, sipas Ministrit Hoxha, përfaqëson një përgjegjësi historike dhe një rritje të besueshme të rolit të Shqipërisë brenda Aleancës, si dhe konfirmon rëndësinë strategjike të rajonit. Shqipëria shprehu angazhimin e plotë për të ofruar një samit të suksesshëm në koordinim të ngushtë me Selinë e NATO-s.