Aksioni në AKK për manipulime me prona: Gjykata refuzon paraburgimin për të arrestuarit
Pesë personat e arrestuar gjatë aksionit të fundit policor në Agjencinë Kadastrale të Kosovës (AKK), të dyshuar për manipulime me prona, nuk do të mbahen në paraburgim.
Gjykata ka refuzuar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit për ta, duke u caktuar atyre masën e paraqitjes në stacionin policor.
Njësiti për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, zhvilloi dje një aksion në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, si dhe në disa vendndodhje të tjera.
Sipas Prokurorisë, aksioni u krye me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë, në kuadër të hetimeve për veprat penale “Keqpërdorimi i detyrës zyrtare”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Legalizimi i përmbajtjes së pavërtetë”.
Prokuroria ka bërë të ditur se të dyshuarit me inicialet A.Q. dhe N.K. dyshohen se kanë përdorur një dokument të falsifikuar të vitit 1966, të titulluar “Kontratë për këmbim të paluajtshmërive”, me qëllim që të paraqisnin rrejshëm një këmbim pronash dhe të siguronin përfitim pasuror të kundërligjshëm.
“Përmes këtij dokumenti është paraqitur në mënyrë të rreme se kinse ka ndodhur një këmbim pronash në vitin 1966, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror”, thuhej në komunikatën e Prokurorisë.
Hetimet tregojnë se, me ndihmën e zyrtarit A.B., dokumenti i dyshuar si i falsifikuar është prezantuar si autentik dhe është futur në arkivat e gjykatës, megjithëse, sipas Prokurorisë, “një dokument i tillë nuk ka ekzistuar asnjëherë në evidencat zyrtare”.
Prokuroria dyshon se A.B., në cilësinë e personit zyrtar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka krijuar dosje fiktive për të mundësuar legalizimin e dokumentit të falsifikuar.
Ndërkohë, dy zyrtarë të Agjencisë Kadastrale të Kosovës (AKK), me inicialet B.Sh. dhe M.B., dyshohen se kanë tejkaluar kompetencat duke miratuar në mënyrë të kundërligjshme ankesën e N.K.-së dhe duke detyruar Komunën e Prishtinës ta regjistrojë pronën në emër të tij.
