**Nis rigjykimi në mungesë ndaj të akuzuarit për krime lufte, Cedomir Aksiq**
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka nisur rigjykimi në mungesë ndaj të akuzuarit për krime lufte, Cedomir Aksiq. Ky proces vjen pas vendimit të Gjykatës së Apelit, e cila e ktheu lëndën në rigjykim, duke kërkuar plotësimin e kushteve ligjore për gjykimin në mungesë.
Prokurorja Habibe Salihu deklaroi se janë plotësuar të gjitha veprimet e nevojshme sipas ndryshimeve të fundit ligjore për të mundësuar këtë formë gjykimi. “Ne kemi vepruar sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Penale dhe ndryshimeve të bëra për gjykimin në mungesë,” citohet të ketë thënë prokurorja Salihu nga “Betimi për Drejtësi”.
Sipas prokurores, fillimisht është vërtetuar adresa e të akuzuarit përmes dëshmitarëve që kanë pasur qasje në pronën e tij, ndërsa më pas Policia e Kosovës ka konfirmuar se Aksiq nuk jeton në Republikën e Kosovës. Për më tepër, është shfrytëzuar bashkëpunimi juridik ndërkombëtar përmes Ministrisë së Drejtësisë, duke i dërguar ftesë autoriteteve të Serbisë, prej të cilave është pranuar edhe një përgjigje.
Gjithashtu, ftesa për Aksiqin është publikuar në Gazetën Zyrtare për një periudhë gjashtëmujore, duke i bërë thirrje të akuzuarit të dorëzohet. Prokurorja Salihu theksoi se i akuzuari Cedomir Aksiq ka qenë në dijeni të procesit, pasi mbrojtësi i tij në shqyrtimet e kaluara ka qenë me autorizim.
Gjykata sugjeroi se kontaktimi me avokatin e mëparshëm do të ishte një “mundësi e mirë” dhe “mënyrë për ta informuar” të akuzuarin.
Me kërkesë të avokatit Ymer Berisha, i caktuar nga gjykata për mbrojtjen e Cedomir Aksiq, seanca e sotme u ndërpre dhe u shty për një datë tjetër. Avokati Berisha njoftoi trupin gjykues se ende nuk ishte pajisur me të gjitha shkresat e lëndës nga prokuroria, përfshirë deklaratat e dëshmitarëve dhe provat e tjera materiale që përbëjnë bazën e aktakuzës.
Më 26 dhjetor 2023, Aksiq ishte shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe u dënua me 15 vite burgim, raporton “Betimi për Drejtësi”. Gjykimi në mungesë ndaj tij kishte nisur më 20 nëntor 2023, dhe parashihet me Kodin e Ri të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka ngritur aktakuzë kundër Çedomir Aksiq më 4 maj 2023, duke e akuzuar për krime lufte në Komunën e Shtimes, konkretisht në fshatrat Reçak, Mulapolc dhe Petrovë. Ai akuzohet se, në periudhën janar-maj 1999, në bashkëpunim me një grup personash të uniformuar kriminalë, ka shkaktuar vuajtje të mëdha, cenim të integritetit trupor ose shëndetit dhe frikë ndaj popullatës civile.
Sipas aktakuzës, në pikën e quajtur “Kodra e Gështenjave”, mes fshatrave Reçak, Mulapolc dhe Petrovë, Aksiq së bashku me pjesëtarë të tjerë të forcave serbe, kishte urdhëruar dëbimin e banorëve të lagjes, e më pas ua kishin djegur shtëpitë, duke shkaktuar dëme morale dhe materiale deri në 300 mijë euro.
Në vendin e quajtur “Lugu i Neshës” në Petrovë të Shtimes, Aksiq pretendohet se ka ekzekutuar me një pushkë 10-she tani të ndjerin Halil Hysenaj, pasi paraprakisht kishte ndalur familjen e tij, e cila më pas gjeti trupin e viktimës pa shenja jete. Ndërkaq, në fshatin Reçak, Aksiq akuzohet se ka marrë pjesë në vrasjen e Hajriz Brahimit, Hakin Muratit, Sabri Muratit, Arif Muratit, Ahmet Mustafes, Sadik Mujotës, Skënder Halitit dhe Hanumshahe Mujotës.
Aktakuza detajon se Aksiq, në bashkëkryerje me forcat e tjera serbe, kishte qëlluar në drejtim të Hajriz Brahimit, teksa ky i fundit po ikte nga shtëpia drejt malit. Pas Hajriz Brahimit, Aksiq pretendohet se ka qëlluar edhe në drejtim të Hakin Muratit, Sabri Muratit dhe Arif Muratit. Më tej, në praninë e bashkëshortes së viktimës, Aksiq akuzohet se ka vrarë edhe Ahmet Mustafën, dhe gjatë largimit nga shtëpia e të ndjerit Mustafa, së bashku me forcat serbe, thuhet se kanë qëlluar edhe në drejtim të Sadik Mujotës, Hanumshahe Mujotës, Skënder Halitit dhe Mehmet Mustafës.
Dëshmitarë të rastit janë: Ruzhdi Jashari, Sadri Jashari, Bashkim Rizau, Shukrije Hysenaj, Agim Hysenaj, Hajdin Hysenaj, Blerim Hysenaj, Hyzer Hysenaj, Njazi Mujota, Tefik Halili dhe Avdullah Krasniqi.
Me këto veprime, Aksiq akuzohet se ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, e ndëshkueshme me nenin 142 të Ligjit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, aktualisht e dënueshme edhe sipas Konventës së Gjenevës si “Krim lufte” në shkelje të rëndë të nenit 3 të kësaj konvente dhe nenit 4, protokollit 2 të datës 8 qershor 1977, si dhe aktualisht e ndëshkueshme sipas neneve 146 dhe 147 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Procesi gjyqësor ndaj Aksiq zhvillohet në mungesë, pasi Prokuroria dhe Gjykata kanë shtjerrë të gjitha mundësitë për sigurimin e pranisë së tij në gjykim.
