Lutfi Haziri: Dera e hapur për Vjosa Osmanin dhe Agim Veliun në listën zgjedhore të LDK-së

**Prishtinë** – Lutfi Haziri, anëtar i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka ndarë detaje nga agjenda e takimit të Këshillit të Përgjithshëm të partisë, i cili pritet të mbahet së shpejti.

Siç ishte konfirmuar më herët nga deputetja Jehona Lushaku-Sadriu, në këtë mbledhje pritet të propozohet kandidati për kryeministër. Përveç kësaj, Haziri theksoi se Këshilli do të miratojë edhe politikat e partisë për zgjedhjet e 7 qershorit.

“Natyrisht që do të vendoset politika e nominimit dhe lista zgjedhore prej 110 burrave dhe grave që do të jenë pjesë e garës së përbashkët. Dikujt ia ka mbyllur dhe dikujt ia ka hapur mundësitë. Ne ftojmë të gjithë rugovistët, besimtarët në Republikën e Kosovës, t’i bashkohen kësaj liste për ndryshimin e madh”, deklaroi Haziri.

Ai shtoi se sa i përket emrit të Vjosa Osmanit, dera është e hapur për të gjithë ata që janë të gatshëm dhe kanë mundësi e vullnet për t’iu bashkuar. Haziri konfirmoi po ashtu se dera mbetet e hapur edhe për ish-nënkryetarin e partisë, Agim Veliun.