Haradinaj: Kosova të marrë mbështetje për Këshillin e Evropës dhe statusin kandidat në BE
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, uroi Ditën e Evropës, duke ritheksuar se rruga euro-atlantike mbetet orientimi i vetëm strategjik i Kosovës.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Haradinaj theksoi nevojën që Bashkimi Evropian t’i hapë rrugë njohjes së Kosovës nga pesë shtetet anëtare që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e saj.
Ai gjithashtu kërkoi mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe për fitimin e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Rruga jonë euro-atlantike është e vetmja rrugë dhe ne mbetemi besnikë të këtij vizioni, gjithmonë në mbrojtje të interesave të Kosovës”, shkroi Haradinaj.
Në fund të mesazhit të tij, ai uroi qytetarët me rastin e Ditës së Evropës.
