Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pas rizgjedhjes së tij si kandidat për kryeministër, mbajti një fjalim para Këshillit të partisë, duke deklaruar se kjo është një detyrë historike që do të përmbushet pa u ndalur nga askush.
Propozimi i emrit të tij nga znj. Haxhiu për të kryesuar listën në zgjedhjet e 7 qershorit, u miratua unanimisht nga anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm, siç raporton IndeksOnline.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, Kurti përmendi arritjet e qeverisë gjatë viteve të fundit, duke vënë theksin te rritja e ndihmave sociale, shtrirja e sovranitetit në veri të vendit dhe lufta kundër propagandës serbe. Ai po ashtu shprehu vlerësimin se nuk kishte pasur nevojë për zgjedhje të parakohshme.
“Nga shkurti në dhjetor u rritëm me 10%. Nëse vazhdojmë me këtë ritëm deri në qershor, mund të arrijmë deri në 60%. Nëse punojmë me sinqeritet, siç dimë, kjo është plotësisht e mundur. Sa herë po na bllokojnë, ne po rritemi dhe populli po u jep përgjigje,” ka theksuar Kurti.
“Nuk kishim nevojë për zgjedhje të reja kaq shpejt. Duket se një strateg i cili, nga hija, drejton veprimet opozitare, mendon se zgjedhjet janë të domosdoshme. Kjo po ndodh sepse përballë nesh kemi një opozitë që e ka kuptuar se nuk mund ta mposhtë popullin, prandaj po e pengojnë shtetin,” shtoi ai.
