Rikonstruktohet vrasja me tre plumba në Vushtrri, i pandehuri B.D. akuzohet për krim të rëndë
Gjykata Themelore në Mitrovicë ka kryer sot, më 27 mars 2026, rikonstruktimin e ngjarjes së rëndë ku i pandehur është B.D., i akuzuar për vrasje të rëndë. Rikonstruktimi lidhet me ngjarjen tragjike të marsit të vitit 2025 në Vushtrri.
Sipas aktakuzës, ngjarja ka ndodhur më 23 mars 2025, rreth orës 20:30, në Vushtrri. I akuzuari B.D. dyshohet se me dashje i ka marrë jetën viktimës A.Z., duke e qëlluar me pistoletë tri herë në trup.
Si pasojë e plagëve të shumta të shkaktuara nga plumbat, viktima A.Z. pësoi dëmtime të rënda në mushkëri dhe mëlçi, duke shkaktuar gjakderdhje masive dhe dështim të menjëhershëm respirator.
Prokuroria e Mitrovicës bën të ditur se viktima ndërroi jetë në Repartin e Emergjencës në Spitalin e Vushtrrisë. Gjithashtu, nga të shtënat në rrugë publike, u rrezikua edhe jeta e kalimtarëve dhe pjesëmarrësve në komunikacion.
Në njoftimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë thuhet se rikonstruktimi u zhvillua në prani të Prokurorit të Shtetit, mbrojtësit të të pandehurit, palës së dëmtuar, dëshmitarit, si dhe zyrtarëve hetimorë nga Njësia për Reagim të Shpejtë (NJRSh) dhe Njësia e Forenzikës. Gjithashtu ishin të pranishëm ekspertë nga fushat përkatëse, përfshirë Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML), Agjencinë e Kosovës për Forenzikë (AKF), dhe zyrtarë të Policisë së Kosovës. E gjithë procedura u krye në përputhje të plotë me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.
