Gjatë fjalës së saj në “Tubimin e Bashkimit” të LDK-së, Vjosa Osmani ka drejtuar kritika të ashpra ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. Osmani theksoi se Kurti “kërcënon me zgjedhje çdo tre muaj” dhe se “i refuzoi 51% nga populli”, duke e cilësuar atë si “të pangopur”.
Në fjalimin e saj, Osmani argumentoi se vendi ndodhet para dy rrugëve: “njëra është rruga e izolimit dhe e krizës së përhershme, rruga e atyre që kërcënojnë ta çojnë vendin në zgjedhje çdo tre muaj sepse nuk ngopen kurrë”. Ajo shtoi se kjo është “rruga e atyre që e shndërrojnë në mision eliminimin e çdokujt që interesin shtetëror e vendos para atij partiak”.
Osmani pretendoi se vendi shkoi “në zgjedhje të panevojshme” dhe se “i refuzuan popullit 51 përqind vetëm për të eliminuar një presidente që ulet me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.
Përballë kësaj, Osmani theksoi rrugën tjetër, atë “e amanetit të Rugovës, rrugën e shtetit serioz”.
Fjalimi i saj u shoqërua me brohoritje të shumta nga masa e pranishme. Këto deklarata u transmetuan nga Gazeta Express.
