Partia e Drejtësisë (PD), e udhëhequr nga Ferid Agani, ka njoftuar arritjen e një marrëveshjeje me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) për të garuar në listën e saj në zgjedhjet e 7 qershorit 2026.

Në një deklaratë për media, PD theksoi se ky bashkëpunim, i arritur pas zhvillimeve të fundit politike, “përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të stabilitetit politik, rritjes së përgjegjësisë shtetërore dhe rikthimit të besimit qytetar në institucionet e Republikës së Kosovës”.

Partia e Drejtësisë shtoi se kjo marrëveshje nuk është thjesht një bashkim elektoral, por “një angazhim për krijimin e një fryme të re bashkëpunimi politik, dialogu institucional dhe mobilizimit të potencialeve më të mira profesionale e kombëtare në shërbim të qytetarëve dhe shtetit”.

PD-ja theksoi se LDK-ja ka treguar “gatishmëri për reflektim, hapje dhe bashkim të energjive shtetformuese të vendit”, duke dëshmuar kapacitetin e saj për ndryshim dhe marrjen e përgjegjësive të mëdha shtetërore. Për këtë arsye, Partia e Drejtësisë ka vendosur të mbështesë këto procese pozitive dhe të kontribuojë maksimalisht për suksesin e përbashkët politik dhe shtetëror në këto zgjedhje.

Sipas Partisë së Drejtësisë, Kosova ka nevojë për “më shumë bashkëpunim, maturi politike, stabilitet institucional dhe vizion të qartë zhvillimor”.

Partia përmbyll deklaratën duke theksuar se “qytetarët presin zgjidhje konkrete, përgjegjësi dhe përkushtim serioz ndaj interesit publik”, duke premtuar angazhim të plotë në shërbim të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj.