Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, së bashku me dy kolegë të tjerë, ka propozuar një rezolutë për dënimin e krimeve të kryera në Kosovë gjatë viteve 1998-1999 nga forcat serbe.
Kjo iniciativë mbështetet nga Ahmedin Shkrijel dhe Minela Kalender, të dy deputetë nga SDA Sandzak.
Në njoftimin e tij, Kamberi theksoi se rezoluta “dënon krimet sistematike, vrasjet, deportimet, spastrimin etnik dhe dhunën e ushtruar ndaj popullsisë civile shqiptare në Kosovë nga strukturat ushtarake, policore dhe paramilitare të regjimit të atëhershëm të Serbisë.”
Më tej, ai shtoi se dokumenti “rikujton masakrat në Reçak, Mejë, Krushë të Madhe, Krushë të Vogël, Suharekë, Izbicë, Podujevë dhe shumë vende të tjera, si dhe praninë e varrezave masive në Batajnicë, Petrovo Selo, Perućac dhe Kiževak.”
Rezoluta kërkon gjithashtu hapjen e arkivave shtetërore dhe ushtarake, vazhdimin e hetimeve për personat e zhdukur dhe garantimin e së drejtës për të vërtetën dhe drejtësinë për familjet e viktimave. Kamberi përfundoi duke theksuar se rezoluta “dënon gjithashtu mohimin e krimeve të luftës dhe glorifikimin e kriminelëve të dënuar.”
