Shkencëtarët paralajmërojnë FIFA-n: Temperaturat e larta në Kupën e Botës 2026 rrezikojnë shëndetin e lojtarëve
Një grup shkencëtarësh me famë ndërkombëtare i kanë dërguar një paralajmërim FIFA-s, duke theksuar se masat aktuale të sigurisë për mbrojtjen nga nxehtësia, të planifikuara për Kupën e Botës 2026 për meshkuj, janë “të pamjaftueshme” dhe mund të vënë në rrezik serioz shëndetin e lojtarëve.
Në një letër të hapur, ekspertë ndërkombëtarë në fushën e shëndetësisë, klimës dhe performancës sportive theksojnë se udhëzimet e organit qeverisës të futbollit nuk përputhen me shkencën aktuale dhe janë “të pajustifikueshme”. Ata i bëjnë thirrje FIFA-s të vendosë masa mbrojtëse më të forta, përfshirë pushime freskuese më të gjata dhe shtyrjen e ndeshjeve në raste kushtesh ekstreme.
Nxehtësia pritet të jetë një sfidë e madhe në turneun e ardhshëm veror, që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë. Studiuesit paralajmërojnë se temperaturat në 14 nga 16 stadiumet e parashikuara për t’u përdorur, mund të tejkalojnë nivele të rrezikshme.
Në rajonet jugore të SHBA-së dhe ato veriore të Meksikës, temperaturat mesatare maksimale ditore zakonisht luhaten rreth 30°C dhe mund të arrijnë deri në 40°C gjatë periudhave më të nxehta. Kur merren parasysh faktorë si temperatura, lagështia, shpejtësia e erës dhe intensiteti i dritës së diellit, lojtarët në këto qytete pritëse të Kupës së Botës përballen me rrezikun më të lartë të stresit ekstrem termik.
FIFA, nga ana e saj, deklaron se është “e angazhuar për të mbrojtur shëndetin dhe sigurinë e lojtarëve, gjyqtarëve, tifozëve, vullnetarëve dhe stafit”, duke theksuar se rreziqet klimatike vlerësohen si pjesë thelbësore e planifikimit të turneut.
**Masat aktuale të FIFA-s**
Në kuadër të “angazhimit të saj për mirëqenien e lojtarëve”, FIFA ka prezantuar pushime freskuese të detyrueshme tre-minutëshe në secilën pjesë të ndeshjeve, pavarësisht nga kushtet atmosferike. Gjithashtu, do të sigurohen stola me ajër të kondicionuar për stafin teknik dhe lojtarët zëvendësues në të gjitha ndeshjet që zhvillohen në ambient të hapur.
FIFA përdor gjithashtu parametrin standard të nxehtësisë për sportin, Temperaturën e Globit të Lëngshëm (WBGT), i cili vlerëson stresin fizik nga nxehtësia në trup, duke kombinuar faktorët e nxehtësisë dhe lagështisë. Një WBGT prej rreth 28°C konsiderohet gjerësisht si një prag ku stresi termik bëhet një shqetësim thelbësor për atletët elitarë. Sipas manualit të emergjencave të FIFA-s, nëse lexohet një WBGT afër, në ose mbi 32°C, organizatorët e ndeshjeve duhet të marrin masa paraprake për të parandaluar shfaqjen e çdo sëmundjeje të lidhur me nxehtësinë.
FIFA thekson se ka marrë masa edhe për tifozët gjatë ndeshjeve, “kur parashikohen temperatura të larta”. Spektatorëve do t’u lejohet të sjellin një shishe uji të mbyllur nga fabrika, ndërsa ambientet e stadiumeve do të ofrojnë mundësi shtesë freskimi, përfshirë zona me hije, sisteme me avull uji, autobusë ftohës dhe shpërndarje të shtuar të ujit.
**Kërkesat e shkencëtarëve**
20 ekspertët që kanë nënshkruar letrën përfshijnë akademikë të shquar nga Mbretëria e Bashkuar, SHBA-ja, Kanadaja, Australia dhe vende të tjera të Evropës.
Ata kërkojnë që FIFA të rishikojë urgjentisht qasjen e saj, duke përfshirë:
* Shtyrjen e ndeshjeve nëse WBGT tejkalon 28°C.
* Pushime freskuese më të gjata, të paktën gjashtë minuta.
* Pajisje freskuese të përmirësuara për lojtarët.
* Përditësime të rregullta të udhëzimeve bazuar në gjetjet më të fundit shkencore.
Gjithashtu, ata kërkojnë që FIFA të miratojë standardet e propozuara nga Fifpro, sindikata globale e lojtarëve.
