Juela rrëfen për herë të parë: Si mësoi për vdekjen tragjike të ish-partnerit
Juela ka ndarë së fundmi një rrëfim të ndjerë dhe mjaft personal gjatë një bisede me Edisen brenda shtëpisë, duke prekur thellë me historinë e saj të dhimbshme.
Ajo ka kujtuar një nga momentet më të vështira të jetës, kur mori lajmin tragjik për vdekjen e ish-partnerit të saj, i cili u gjet i vrarë së bashku me motrën e tij. Sipas saj, ngjarja ndodhi në një periudhë të pazakontë, pikërisht në kohën kur bota po përballej me fillimin e pandemisë së COVID-19 dhe kufizimet e para të udhëtimit po hynin në fuqi.
Juela tregoi se komunikimi i fundit me të kishte ndodhur vetëm pak minuta para se të mësonte lajmin e rëndë. Ajo u njoftua fillimisht nga një e njohur e saj në Angli, ndërkohë që ngjarja kishte nisur të raportohej edhe në mediat shqiptare.
Duke rikujtuar ato çaste, ajo u shpreh:
“Një e njohur nga Anglia më shkroi duke më pyetur nëse kisha folur me të. Unë i isha përgjigjur se kishim komunikuar rreth 20 minuta më parë dhe ai ishte rrugës për në shtëpi. Por, ajo më kërkoi ta telefonoja sërish. Lajmi kishte dalë ndërkohë në televizionin shqiptar, ku shfaqeshin shkronja që njoftonin: ‘motër, vëlla, [emri], në këtë vend…gjenden të vrarë në oborr të shtëpisë’. E kujtoj që vajza nga Anglia më telefonoi me video-thirrje. Nuk kuptova asgjë, veçse hodha pjatat përtokë nga shoku. Ka qenë jashtëzakonisht e vështirë. Ishte nata kur aeroportet po mbylleshin, pasi ishin rastet e para me COVID-19. Shumë e vështirë t’ia pranoja vetes se ai nuk jetonte më.”
Rrëfimi i saj vjen si një dëshmi e dhimbjes së thellë që lënë pas ngjarje të tilla, por edhe e forcës për t’i përballuar ato me kalimin e kohës.
