Zëdhënësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Kushtrim Xhemaili, ka vlerësuar kandidaturën e Ardian Gjinit për Kryeministër, duke e cilësuar atë si një model të dëshmuar menaxhimi dhe qeverisjeje, i cili i duhet Kosovës.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Xhemaili theksoi nevojën për një qasje të re politike, e cila do të fokusohet më shumë te zgjidhja e problemeve reale të qytetarëve dhe do të shmangë polarizimin e debatet e panevojshme.
Ai shtoi se Gjini ka dëshmuar aftësi menaxheriale si në nivel qendror, ashtu edhe në atë lokal, duke ndërtuar besimin se AAK-ja posedon kapacitetet dhe ekipin e duhur për të sjellë ndryshimin e nevojshëm në qeverisjen e ardhshme.
“Gjatë viteve të fundit, të gjithë kemi parë se si skena politike në Kosovë është ngarkuar me fyerje e debate, derisa problemet reale të familjeve tona kanë mbetur në hije. Kosovës sot i duhet një model tjetër. I besoj Ardian Gjinit sepse është një menaxher i dëshmuar”, theksoi Xhemaili.
Zëdhënësi i AAK-së bëri të ditur gjithashtu se do të jetë pjesë e garës zgjedhore të 7 qershorit, duke kandiduar në listën e partisë. Ai nënvizoi se angazhimi i tij do të jetë në funksion të realizimit të programit politik të AAK-së dhe mbështetjes së plotë për kandidatin për Kryeministër, Ardian Gjinin.
Xhemaili paralajmëroi takime me qytetarë në të gjitha komunat e Kosovës, ku, sipas tij, do të prezantohen planet konkrete të Aleancës për zhvillimin e vendit.
