Komuna e Prishtinës ka ndërmarrë veprime për largimin e paneleve të ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998–1999”, pasi ka zbuluar pasaktësi në disa prej materialeve të ekspozuara. Ky vendim, i cili vjen pas anulimit të lejes, u mor pasi u konstatuan përmbajtje të pasakta dhe të pavërteta, të cilat kanë shkaktuar reagim publik dhe kanë prekur kujtesën historike.
Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Luftar Braha, shpjegoi se vendimi për largimin e ekspozitës erdhi pas anulimit të lejes për shkak të pasaktësive, të cilat, sipas tij, kanë dëmtuar kujtesën historike dhe kanë nxitur pakënaqësi publike.
“Komuna e Prishtinës ka anuluar miratimin për ekspozimin e materialeve nga libri i Shkëlzen Gashit, të cilat ishin planifikuar të qëndronin nga 24 marsi deri më 7 prill, në përkujtim të masakrave të ndodhura në Kosovë. Ky anulim u bë për shkak të përmbajtjes së pasaktë dhe të pavërtetë në disa prej paneleve të shfaqura, në disa materiale të cilat rëndojnë shumë kujtesën historike të kombit tonë, dëmtojnë rëndë të mbijetuarit e masakrave dhe kanë krijuar një irritim të thellë të opinionit publik. Për këtë arsye, ne e anuluam lejen dhe sot menjëherë është ndërmarrë veprimi për heqjen e tyre nga sheshi,” deklaroi ai.
Braha shtoi se komuna nuk kishte bërë paraprakisht verifikimin e materialeve të ekspozuara. “Jo, ne nuk kemi bërë kontroll të materialeve. Nuk kemi censurë, nuk jemi Gestapo për të bërë diçka të tillë. Materialet kanë qenë të financuara ose të sponsorizuara edhe nga institucionet tona shtetërore, prandaj nuk e kemi parë të arsyeshme të thellohemi në detaje të tilla. Nuk e kemi menduar se dikush nga shoqëria jonë mund të shkojë në nivele të tilla sa të prezantojë të pavërteta kaq të ndjeshme,” u shpreh ai.
I mbijetuari i masakrës së Dubravës, Visar Ballovci, theksoi se përmbajtja e ekspozitës nuk përputhet me realitetin që ai dhe të tjerët e kanë përjetuar. “Unë i kam përjetuar këto ngjarje me miq e të dashur, gjithçka që kisha atje. Kjo ekspozitë, që u shfaq publikisht, nuk përputhet me të dhënat e sakta të masakrës së Dubravës. Ne i kemi përjetuar drejtpërdrejtë. Të gjitha viktimat ishin të paarmatosura, ndërsa krimi u krye nga paramilitarë, të cilët shkaktuan masakrën e Dubravës me mbi 144 të vrarë dhe mbi 200 të plagosur, shumë prej të cilëve me lëndime të rënda. Është shqetësuese që deklaratat, të cilat dyshohet se janë marrë nga burime të caktuara, konsiderohen më të vlefshme se dëshmitë tona, të mbijetuarve të masakrës së Dubravës,” u shpreh Ballovci.
Ai theksoi se viktimat nuk ishin të armatosura dhe se ngjarja është dokumentuar edhe nga burime ndërkombëtare. “Përkundrazi, ishin paramilitarët ata që ishin të armatosur. Ekzistojnë edhe regjistrimet e NATO-s; madje edhe bombardimet e para të NATO-s, ato 22 raste, ishin satelitore dhe unë kam qenë në Strasburg para tre vjetësh, ku më thanë se duhet shteti të veprojë. Sikur të kishim qenë të armatosur, do të kishim bërë diçka për të shpëtuar veten. Por ne nuk kishim asgjë. Unë vetë kam qenë tre herë në pushkatim dhe kam qëndruar pranë kufomave të të vrarëve. Kemi përjetuar tortura aq të mëdha sa nuk mund ta merrni me mend, qëllonin aq ashpër sa nuk mund të parashikoja çfarë sulmesh kryenin dhe çfarë masakre bënin,” tha ai.
Ky veprim vjen pas vendimit të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, për pezullimin e lejes së ekspozimit, për shkak të pasaktësive të evidentuara në përmbajtjen e ekspozitës.
Ekspozita, e hapur më 24 mars në sheshet e Prishtinës, e cila synonte të përkujtonte masakrat e kryera nga forcat serbe në Kosovë gjatë luftës, përmbante disa pasaktësi të theksuara. Fillimisht u konstatuan gabime në të dhënat për masakrën e Burgut të Dubravës, ku theksohej se “Prej të vrarëve, 48 figurojnë si persona të armatosur shqiptarë,” çka bie ndesh me realitetin. Mospërputhje me të dhënat faktike janë gjetur edhe në të paktën dy raste të tjera. Për Masakrën e Mejës, ku sipas të dhënave zyrtare u ekzekutuan 376 civilë shqiptarë më 27 prill të vitit 1999, ekspozita prezantonte shifra të ndryshme, duke theksuar se ishin vrarë 349 civilë shqiptarë. Kjo nënkupton se 27 jetë të humbura në këtë masakër të tmerrshme ishin shlyer nga lista e viktimave.
