Haradinaj përkujton Masakrën e Izbicës dhe Betejat e 28 Marsit 1999
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, përkujtoi ngjarjet e 28 marsit 1999. Ai theksoi se kjo datë shënon një prej masakrave më të mëdha të kryera në Kosovë nga shteti serb.
Sipas tij, në fshatin Izbicë, forcat ushtarake dhe policore serbe vranë 147 shqiptarë të paarmatosur, përfshirë gra, të moshuar dhe fëmijë.
Haradinaj kujtoi gjithashtu se në të njëjtën ditë, në Zonën Operative të Dukagjinit, forcat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) zhvilluan Betejën e Pozharit, ku, sipas tij, armiku pësoi humbje të rënda. Ai shtoi se kjo betejë nderohet me emrat e luftëtarëve Elez Geci dhe Maxhun Berisha.
Haradinaj bëri me dije se 28 marsi është po ashtu dita e themelimit të Brigadës 137 Gjakova, të cilën e cilësoi si brigadën e parë urbane në Kosovë, e përbërë nga luftëtarë të përkushtuar për çlirimin e vendit.
“Të rënët e kësaj toke janë themeli i lirisë sonë dhe frymëzim i përjetshëm për brezat që vijnë”, theksoi Haradinaj.
