Liga e Parë e Kosovës: Dramë dhe emocione, gjithçka vendoset në xhiron e fundit

Liga e Parë e Kosovës ka ofruar dramë dhe emocione pothuajse në çdo xhiro gjatë këtij sezoni, ndërsa fundi i kampionatit po afron. Me afrimin e fundit të sezonit, po afrohet edhe momenti i zbulimit të skuadrave që do të garojnë në Superligën e Kosovës edicionin e ardhshëm.

Sipas rregullave të garës, dy skuadrat e para në renditje kualifikohen direkt në elitën e futbollit kosovar, ndërsa vendet e treta dhe të katërta sigurojnë të drejtën për të luajtur në fazën e play-off-it. Fituesi i ndeshjes mes këtyre dy skuadrave do të përballet më pas me skuadrën e renditur e teta në Superligë.

Në Ligën e Parë ka mbetur vetëm një xhiro për t’u zhvilluar, e cila do të përcaktojë përfundimisht se cilat skuadra do të ngjiten në një rang më të lartë garash dhe cilat do të luftojnë për një vend në play-off.

Në xhiron e parafundit (e 33-ta), të zhvilluar sot, të pesë skuadrat kryesuese regjistruan fitore. Vushtrria mposhti Ramiz Sadikun me rezultatin minimal 1-0, Feronikeli ’74 triumfoi 3-0 ndaj Trepçës, ndërsa Dinamo mposhti Rilindjën 1974 me rezultatin 4-3. Vëllaznimi siguroi fitoren 3-2 ndaj KEK-ut, dhe Liria mori tre pikë të rëndësishme duke mundur Suharekën 4-2.

Xhiroja e fundit, e 34-ta në radhë, e cila do të zhvillohet javën e ardhshme, pritet të ofrojë përballje tejet interesante, veçanërisht mes skuadrave që luftojnë për ngritje në Superligë. Liderja aktuale, Vushtrria, do të luajë si mysafire ndaj Vëllaznimit, skuadër e pozicionuar në vendin e katërt, në Gjakovë. Dinamo e Ferizajt, në vendin e tretë, do të presë Lirinë, e cila mban pozitën e pestë. Ndërkohë, Feronikeli ’74 do të udhëtojë për t’u përballur me Ramiz Sadikun.