**Dorëzohet në Polici i Kërkuari për Mbi Gjysmë Ton Drogë të Zbuluar Vitin e Kaluar në Maqitevë**
Prokuroria Themelore në Prizren ka bërë të ditur sot dorëzimin në Policinë e Kosovës të F.N., 46-vjeçar, nga fshati Maqitevë e Suharekës, i cili ishte në kërkim nga organet e rendit.
Lidhur me këtë çështje penale, Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, vitin e kaluar kishte zhvilluar një aksion. Gjatë këtij aksioni, më 16 shtator, në një stallë në fshatin Maqitevë – Komuna e Suharekës, u zbulua dhe u sekuestrua një sasi e madhe e substancës narkotike të llojit kanabis sativa, saktësisht 512 kilogramë, në faza të ndryshme të përpunimit dhe tharjes.
Gjatë aksionit janë sekuestruar edhe: një granatëhedhës, një raketëhedhës krahu, një pushkë gjuetie, municion, një traktor me rimorkio, pajisje dhe vegla pune të përdorura për kultivim dhe përpunim, dy telefona celularë, si dhe prova të tjera materiale.
Po ashtu, prokuroria ka lëshuar urdhër për sekuestrimin e përkohshëm të dy parcelave me sipërfaqe prej 1963 m² dhe 1438 m², të cilat gjenden në fshatin Maqitevë.
Lidhur me këto veprime, Prokuroria ka iniciuar procedurë penale ndaj F.N. Sipas dyshimit të bazuar, ai në një periudhë të pacaktuar kohore, deri më 16 shtator të vitit të kaluar, në pjesën malore të fshatit Maqitevë, ka kultivuar pa autorizim bimën kanabis sativa me qëllim prodhimin dhe përgatitjen për shitje të narkotikëve dhe shpërndarjen e kësaj substance në treg.
Me këto veprime, F.N. dyshohet se ka kryer veprat penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit” nga neni 272, “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve” nga neni 267, si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
I pandehuri gjendet në ndalim 48-orësh, dhe Prokuroria ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për të.
