Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka folur për zhvillimet në Lidhjen Demokratike të Kosovës, përfshirë këtu kandidaturat për kryetar të kësaj partie, që janë shfaqur ditët e fundit.
Haziri, ka thënë se, çështjet që lidhen me zgjedhjet duhet të diskutohen në LDK, dhe se, duhet të bëhen përgatitjet e hershme.
‘‘Kam thanë që LDK të kthehet në shtëpi. Duhet me kthy në shtëpi, me i diskutu çështjet që lidhen me zgjedhjet. Përgatitjet e hershme, duhet me i forcu normat, me i ndërmarrë veprimet mëdha për ndryshime staturore, strukturore dhe me krijuar një ambient për garë të mirë’’, ka deklaruar ai.
Haziri, ka komentuar edhe kandidaturën e Hykmete Bajramit, Arben Gashit e Përparim Ramës, duke thënë se i janë ‘’vlerë kandidaturave’’.
‘’Hykmetja, Arbeni, i japin vlerë kandidaturave eventuale, janë autoritete, emra kredibil, kredibilitet edhe procesit politik. Përparim natyrisht është njeri prej tyre. Tash mbetet me pa kur vjen koha, sepse sa më shpejt mendoj, është ma mirë me u zbardhë një agjendë zgjedhore është në vitin e fundit të këtij mandati LDK’ja’’, potencoi ai.
I pyetur se a planifikon që ai vetë të kandidojë, Haziri, ka thënë se ai e sheh ‘’procesin ndryshe’’.
‘’Unë jam prej atyre që e shoh procesin ndryshe, e natyrisht që edhe unë kamgaru në ditë të vështira, nuk i frikësohem garës. Por për mua duhet me u ndërmarrë këto veprime’’, ka shtuar ai për IndeksOnline.
