**Konsumi i përditshëm i çokollatës: Si ndikon në shëndetin dhe trupin tuaj?**

Çokollata është një ëmbëlsirë e dashur për shumëkënd, por me konsumin e rregullt, shpesh lind pyetja nëse ajo është e dobishme apo e dëmshme për shëndetin. Përgjigja nuk është e thjeshtë, pasi efekti i çokollatës në trup varet nga lloji, sasia dhe frekuenca e konsumit, sipas “Eating Well”. Çokollata e zezë, ajo me qumësht dhe ajo e bardhë ndryshojnë në përbërje, dhe rrjedhimisht në vlerat e tyre ushqyese.

**Dallimi mes llojeve të çokollatës**

Çokollata e zezë dhe ajo me qumësht përmbajnë pluhur kakaoje (ose lëndë të ngurta kakaoje), ndërsa çokollata e bardhë përmban vetëm gjalpë kakaoje. Hulumtimet shkencore përqendrohen kryesisht te çokollata e zezë dhe ajo me qumësht, pasi është pluhuri i kakaos ai që përmban përbërës të lidhur me përfitimet shëndetësore, veçanërisht flavonoidet.

**Përfitimet e mundshme të konsumit të rregullt të çokollatës së zezë**

* **Mbështet shëndetin e zemrës:** Flavonoidet, antioksidantë natyralë nga bima e kakaos, gjenden në sasi më të larta te çokollata e zezë sesa te ajo me qumësht. Këta përbërës mund të kenë një efekt pozitiv në shëndetin e zemrës. Studimet kanë treguar se konsumi i rregullt i çokollatës së zezë mund të zvogëlojë rrezikun e hipertensionit me 27% dhe atë të tromboembolisë venoze me 31%.

* **Lehtëson dhimbjet menstruale:** Çokollata e zezë është e pasur me magnez; 50 gramë ofrojnë rreth 27% të marrjes ditore të rekomanduar, ndërsa e njëjta sasi çokollate me qumësht siguron vetëm rreth 7%. Duke qenë se magnezi ndihmon në relaksimin e muskujve, ai mund të lehtësojë dhimbjet menstruale, transmeton Klankosova.tv.

* **Mban nivele të shëndetshme hekuri:** Çokollata e zezë është gjithashtu një burim i mirë hekuri, ku vetëm 50 gramë ofrojnë një të tretën e kërkesës ditore. Nutricionistja Diana Mesa thekson: “Çokollata e zezë mund të jetë një mënyrë e shijshme për të rritur marrjen e hekurit, sidomos për ata që janë në rrezik anemie. Për përthithje më të mirë, kombinojeni atë me ushqime të pasura me vitaminë C, si kivi.” Në të kundërt, çokollata me qumësht përmban vetëm rreth një miligram hekur për 50 gramë, shkruan “Eating Well”.

* **Përmirëson funksionin njohës dhe humorin:** Flavonoidet te çokollata e zezë përmirësojnë rrjedhën e gjakut në tru, duke kontribuar në një përqendrim dhe kujtesë më të mirë. Ato gjithashtu zvogëlojnë stresin oksidativ, i cili shoqërohet me rënien njohëse. Një studim, i cituar nga “Index.hr”, zbuloi se konsumi i çokollatës së zezë me 85% kakao për tre javë uli ndjeshëm humorin negativ tek subjektet, ndërsa çokollata me 70% kakao nuk tregoi të njëjtin efekt.

**Rreziqet e mundshme të konsumit të përditshëm të çokollatës**

* **Rritja e konsumit të yndyrnave të ngopura dhe sheqerit:** Të gjitha llojet e çokollatës, veçanërisht ajo e bardhë dhe ajo me qumësht, përmbajnë sasi të larta yndyrnash të ngopura dhe sheqernash të shtuara. Konsumi i tepërt i këtyre përbërësve mund të rrisë nivelet e kolesterolit dhe rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare.

* **Prania e metaleve të rënda në çokollatën e zezë:** Një raport ka zbuluar se shumë marka të njohura të çokollatës së zezë përmbajnë sasi shqetësuese të plumbit dhe kadmiumit. Nga 28 produktet e testuara, 23 prej tyre përmbanin nivele që mund të jenë të dëmshme nëse konsumohen çdo ditë. Konsumi i tepërt i këtyre metaleve lidhet me dëmtimin e veshkave, dëmtimin e sistemit imunitar dhe probleme zhvillimore te fëmijët dhe të rriturit.