Abdixhiku komenton për Përparim Ramën: E prezantova kur askush nuk e njihte dhe e mbështeta edhe kur kritikohej

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka komentuar spekulimet rreth mundësisë që kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, të synojë drejtimin e partisë.

Abdixhiku theksoi se çdo ambicie brenda partisë është e mirëseardhur dhe kontribuon në pasurimin e LDK-së. Megjithatë, ai i kujtoi Ramës fillimet e tij në politikë dhe mbështetjen thelbësore që i kishte ofruar, veçanërisht kur figurat kryesore të partisë as nuk e njihnin.

“Të gjitha ambiciet janë të mirëseardhura, çdo ambicie e pasuron LDK-në. Unë kam besuar se zoti Rama i shërben Prishtinës, prandaj e kam sjellë kur askush nuk e njihte. E kam prezantuar dhe kam dalë me të në çdo degë e nëndegë të Prishtinës, edhe kur të gjithë e kritikonin”, ka deklaruar Abdixhiku në emisionin ‘Rubikon’, sipas Insajderit.

I pyetur nga moderatori nëse vërtet ‘askush nuk e njihte’ Ramën në atë kohë, kreu i LDK-së zbuloi detaje nga takimet me figurat kryesore të partisë.

“Në LDK jo. Kur i takova në fillim Gazmend Muhaxherin (Gazi), Imri Ahmetin, Anton Berishën (Luta) dhe të tjerë, pyetën: ‘Kush?’. Gazi më tha: ‘Më duket e kam njohur në vitin 2004, por nuk jam i sigurt nëse është ai’. Pastaj dola në çdo degë e nëndegë të LDK-së dhe u thashë: ‘Shikoni, na duhet një bashkëpunim i mirë’. Logjika ime ishte ‘le të forcojmë komunat’ dhe dolëm me rezultate të mira në 7 komuna. Por, ky rezultat nuk u njoh gjerësisht… Ideja ishte të fitonim komunat fillimisht, e më pas ju të punonit për ne, në mënyrë që të fitonim dhe ta ngritnim LDK-në më lart. Në zgjedhjet e dhjetorit, patëm një rënie të thellë”, shtoi Abdixhiku.