Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje (VV) ka nxitur përmbysjen e rendit kushtetues dhe demokratik në Kosovë.

Pas dy seancave të zhvilluara sonte, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e cilësoi natën si të rëndë për Republikën e Kosovës, duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se ka nxitur përmbysjen e rendit kushtetues dhe demokratik.

“Ky është një rast i pashembullt, një dhunim kushtetues për shtetin tonë të ri. Ky sabotim i kushtetutës dhe i institucioneve të Republikës mbart përgjegjësi të rëndë, të cilën do ta mbajnë ata që tentuan dhe nxitën një përmbysje të tillë,” tha Abdixhiku.

Ai shtoi se LDK-ja po analizon dhe vlerëson situatën, ndërsa vazhdon të mbrojë idenë e saj, pasi “kurrë nuk e kemi pranuar këtë cenim të rregullit minimal”, duke e cilësuar rastin të ngjashëm me atë të seancës së 5 prillit.

“E dënojmë këtë veprim dhe natyrisht do ta mbrojmë me të gjitha mjetet, pasi kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe vetë Republika janë të panegociueshme në këtë pikë,” theksoi ai.

Abdixhiku rikonfirmoi se qëndrimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës është i pandryshueshëm dhe i qëndrueshëm qysh nga dita e parë. Ai kujtoi zotimin e Lëvizjes Vetëvendosje, bërë qysh në takimin e parë, se nuk do të ketë kandidatura të imponuara, përkundër katër rasteve të tilla deri më tani.

“LDK-ja ka bërë thirrje, dhe e ripërsërit vazhdimisht, se e vetmja mënyrë për të zgjedhur presidentin e ardhshëm të Republikës së Kosovës është përmes një marrëveshjeje politike. Për një marrëveshje të tillë, LDK-ja ka ofruar një propozim, një zotim dhe një qëndrim, të cilin Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka konsideruar të denjë për ta respektuar,” tha Abdixhiku.

Kryetari i LDK-së përfundoi duke theksuar se këto janë “veprime shpërfillëse, monopartiake, që nuk i shërbejnë demokracisë, nuk janë të denja për Republikën e Kosovës dhe po e çojnë vendin drejt zgjedhjeve të reja, për shkak se një parti politike nuk e kupton kompromisin”.

*Sipas raportimit të Ekonomia Online.*