Juventusi i dedikon video të veçantë Edon Zhegrovës, thekson aftësitë e tij të pastra

Megjithëse kanë kaluar më shumë se një javë nga barazimi 1-1 i Juventusit ndaj Hellas Veronës në Serie A, paraqitja e Edon Zhegrovës në atë ndeshje vazhdon të tërheqë vëmendjen e klubit. Ndeshja, e luajtur në “Allianz Stadium” më 3 maj, e pa Zhegrovën në fushë për rreth dhjetë minuta, gjatë të cilave iu afrua shënimit të një goli, por shtylla i mohoi fatin.

Klubi bardhezi, i njohur si “Zonja e Vjetër”, ka publikuar edhe sot në faqen zyrtare një përmbledhje të performancës së talentit dardan, duke e etiketuar atë me fjalët: “Aftësi e pastër. Edon Zhegrova i pastër”. Videoja e publikuar tregon Zhegrovën duke demonstruar aftësitë e tij në driblim, veçanërisht duke kaluar topin mes këmbëve të kundërshtarëve.

Zhegrova iu bashkua Juventusit verën e vitit të kaluar nga Lille, në një transferim që kap shifrën e 15.5 milionë eurove, me mundësi rritjeje deri në 20 milionë euro falë bonuseve. Që nga ardhja e tij, ai ka luajtur në 25 ndeshje, duke qenë titullar vetëm një herë – në një ndeshje të Ligës së Kampionëve kundër Pafosit. Në këto 25 paraqitje, prej të cilave 24 si zëvendësues dhe me vetëm 492 minuta të luajtura në total, Zhegrova ende nuk ka arritur të shënojë apo të asistojë.

Zhegrova dhe Juventusi do të rikthehen në fushë këtë fundjavë, ku do të përballen me Fiorentinën më 17 maj (e diel) në kuadër të Serie A.