Adjutant Gjeneral i Gardës Kombëtare të Ajovës përmbyll vizitën në FSK, vlerëson lart progresin
Adjutant Gjeneral Stephen Osborn, i Gardës Kombëtare të Ajovës (GKA), ka përmbyllur një vizitë disaditore në Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).
Sipas një njoftimi zyrtar, Gjeneral Osborn u prit fillimisht nga Komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari. Gjatë takimit, ata diskutuan bashkëpunimin e shkëlqyer në kuadër të Programit të Partneritetit Shtetëror ndërmjet FSK-së dhe Gardës Kombëtare të Ajovës.
Më tej në agjendën e tij, Gjeneral Osborn vizitoi Shtabin e Përgjithshëm të FSK-së, ku u informua për zhvillimet kyçe në rritjen e kapaciteteve operacionale dhe aktivitetet trajnuese, me fokus te linjat kryesore të përpjekjes, si pjesë e planifikimit të përbashkët.
Ai gjithashtu vizitoi Gardën Kombëtare (GK) të FSK-së, ku iu prezantuan zhvillimi, kapacitetet specialistike, sfidat aktuale dhe objektivat zhvillimore të kësaj komande. Aty u diskutua edhe mundësia e zgjerimit të bashkëpunimit në aktivitete të përbashkëta, veçanërisht në fushat ku Garda Kombëtare ka specializim.
Gjeneral Osborn falënderoi Komandantin Jashari për pritjen dhe vlerësoi lart progresin e shënuar nga FSK-ja. Ai rikonfirmoi mbështetjen e palëkundur për avancimin e mëtejshëm të kapaciteteve operacionale të forcës, në përmbushje të misionit të saj kushtetues dhe ligjor.
